Ballkani i trazuar, Paskal Milo: Shqipërisë i duhen aleancat me fuqi të mëdha si SHBA

Ish-ministri i Jashtëm, Paskal Milo, thotë se aleanca me SHBA mbetet më e rëndësishmja për Shqipërinë. Në krahasim me aleancat e mëparshme, Milo thotë se aleanca me SHBA-në dhe Europën ka në themel një traktat transparent, në të cilin përfshihen vlerat demokratike perëndimore.

”Diferenca është e qartë. Vendet me të cilat Shqipëria ka qenë në aleancë e kanë shfrytëzuar marrëdhënien me të. Marrim Italinë e viteve ‘30, çoi në pushtimin e Shqipërisë nga Italia. Aleanca me Jugosllavinë, një aleancë politike ideologjike dhe ushtarake. Nga ajo aleancë i erdhën një numër rreziqesh serioze. Kemi më vonë aleancën me Bashkimin Sovjetik. Konflikti që desh shpërtheu në bazën e Pashalimanit mund të shkonte deri në përplasje ushtarake. Kina ka qenë larg dhe nuk ka pasur nevoja ushtarake në atë kohë, por i duhej Shqipëria si një pikë mbështetjeje në Europë. Kina ishte e izoluar. Aleanca me SHBA dhe Europën ka në themel një traktat transparent. Në të përfshihen vlerat demokratike perëndimore. Pra ka një ndryshim të madh”,-tha në ”Mcn Tv”.

Për historianin sovraniteti i Shqipërisë është më i garantuar se kurrë në historinë e saj. Në një zonë të trazuar si Ballkani, për të një vendi të vogël si Shqipëria i duhen aleancat me fuqi të mëdha.

”Ballkani është një zonë që nuk ka qëndrueshmëri. Kemi përpjekjet e Rusisë, një shtet si Seria që ka aleancë me të. Pavarësisht konjukturave rajonale, nuk duhet ta tërheqim vëmendjen sepse dihet se Serbia është aleat i Rusisë. Për vendet e vogla si Shqipëria, do të jenë më të mbrojtura kur në sistemin ndërkombëtar ku bëjnë pjesë të kenë mbështetjen e 2 apo 3 fuqive të mëdha. Vendet e vogla bien viktimë e orekseve të mëdha. Shqipëria do të ketë nevojë për mbështetje gjithmonë. Përsa kohë ka luftëra dhe kërcënime, kriza që çojnë në luftime, Shqipëria ka nevojë të ketë një mbështetje. E tillë është aleanca me SHBA dhe kjo u nënvizua edhe me ceremoninë që u zhvillua paradite”.

SHKARKO APP