Balluku: Bashkitë të bëhen pjesë e ankandeve publike, duke përdorur tokat e pafrytshme që ndodhen në territoret e tyre
Bashkitë e vendit mund te bëhen pjesë e ankandeve publike për vepra të ndryshme strategjike, duke vënë në përdorim tokat e pafrytshme që ndodhen ne territoret e tyre. Propozimi është bërë nga Zv.kryeministrja njëherazi ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku gjatë ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes së kredisë dhe grantit me BERZH, për financimin e projektit të ndërtimit të parkut fotovoltaik të Belshit.
“Gjatë gjithë analizave që kemi bërë dhe gjatë gjithë studimit të territorit kemi arritur në përfundimin se të gjitha ato toka të pafrytshme të ndodhura në bashkitë e ndryshme të vendit, duhet të vendosen në dispozicion të ankandeve publike, duke u bërë pjesë kështu edhe vetë bashkitë në këto ankande. E them këtë, pasi shpeshherë na vijnë kërkesa për tokat të cilat merren me qera disavjeçare nga privatët në bashkitë e ndryshme të vendit, ndërkohë që bashkitë nuk kanë kapacitete për të ngritur ankande apo as kuadër mbi të cilin duhet të funksionojnë”, është shprehur zv.kryeministrja.
Po ashtu ka shpjeguar se tashmë në një bashkëpunim të plotë me të gjitha bashkitë e vendit ka nisur një proces për të identifikuar ato prona të pafrytshme, të cilat janë në regjistrat dhe inventarët e bashkive dhe të cilat duhet të vendosen në dispozicion të Ministrisë së Infrastrukturës dhe të Energjisë.
“MIE me gjithë kapacitetet teknike që ka, gjithë eksperiencën e mirë dhe partneritetin me trupat ndërkombëtare në vend, mund të arrijmë që të gjitha këto sipërfaqe të disponohen për ankandet ndërkombëtare, me të gjithë certifikimin dhe transparencën që tashmë kemi krijuar, por duke bërë bashkitë e vendit partnerë në këtë proces dhe duke i dhënë atyre përfitimin që i takon dhe qytetarëve të bashkive përkatëse”.
Balluku ka nënvizuar në mënyrë të veçantë faktin që tokat për të cilat behet fjalë janë ato që nuk mund të kontribuojnë në sektorin bujqësor shqiptar, prandaj konsiderohen te pafrytshme.
KOHA JONË SONDAZH

