Balluku dhe Denaj: Investime në laboratorë bashkëkohorë për Bujqësinë

Zv/kryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku si dhe ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj vizituan sot Qendrën e Transferimit Teknologjik Bujqësor. Balluku dhe Denaj informuan se qeveria po shikon mundësinë e investimeve në laboratorët e qendrave kombëtare të bujqësisë.

”Janë pesë qendra kombëtare në të gjithë Shqipërinë që krijojnë mundësinë e implementimit të inovacionit dhe metodave të reja për sektorë të ndryshëm të zhvillimit ekonomik e bujqësor. Jemi duke studiuar mundësitë e investimeve në laboratorë bashkëkohorë në mënyrë që dhe koha e procesimit për analizat e tokës të bëhet sa më shpejt”, tha Denaj.

Sipas Denajt, në bashkëpunim edhe me Agjencinë e Inovacionit po shihet mundësia e ngritjes së serrave moderne të vitit 2030 si dhe ”jemi të gatshëm që të investojmë për të krijuar jo vetëm një qendër ku shikohet pjesa e produkteve, por njëkohësisht dhe mënyrës se si gjithë infrastruktura i shërben produktit”.

Denaj u bëri thirrje fermerëve të aplikojnë për të përfituar nga masat e Skemës së Investimeve, teksa theksoi se në këto masa përfshihet edhe mbështetja e sistemit të vaditjes me pika. Zv/kryeministrja Balluku tha se qeveria dhe të gjitha agjencitë në vend kanë në fokus mbështetjen e sektorit bujqësor.

SHKARKO APP