Balluku i përgjigjet Berishës: Unë bëj punë burrash, vesh çizmet dhe i futem baltës nëpër kantiere
Zv.kryeministrja Belinda Balluku i ka kthyer përgjigje Sali Berishës, i cili një ditë më parë u shpreh për mediat se mezi po qëndronte në Parlament “nga aromat e parfumeve”.
“Sot shikoja lajmet dhe pavarësisht se unë dje dhe koleget e mia kemi qenë në seancën parlamentare na merr dhe ne ajo rutina dhe ca gjëra i dëgjojmë, ca nuk i dëgjojmë. Po dëgjoja prononcime e copëza të ndryshme të mediave.
Dëgjoja kolegët tanë deputetë, nuk po i ndaj majtas apo djathtas, se ka pak rëndësi, tek flisnin që ajo sallë ka erë parfumesh të shtrenjta. Se zakonisht gratë janë ato që mbajnë parfume apo akuzohen për parfume.
Unë nuk e di që në sallën parlamentare ne kemi hyrë që të na mbajnë erë parfumet, të cilat kushtojnë nga 100 lekë edhe shumë më shumë, por nuk e di kush i ka këto aftësi nuhatjeje për t’i ndarë se sa të shtrenjta janë dhe pastaj e thënë nga ai që po e thoshte nuk besoj që e ka këtë nuhatje në këtë moshë.
Ose dje kam dëgjuar një tjetër përfaqësues të politikës që tregonte se si kanë ndryshuar disa prej grave të parlamentit në pamjen e tyre. Nuk e di se çfarë rëndësie ka pamja në rolet që kemi në parlament. Nuk e di sa e rëndësishme është pamja e një drejtuesi komisioni?
Nuk e di sa e rëndësishme është pamja ime sepse unë vesh çizmet dhe i futem baltës nëpër kantiere dhe bëj punë burrash. Supozohet se është punë burrash se ne këtu kemi profesoreshën që vjen nga një fushë e supozuar burrash, inxhinieria e ndërtimit”, tha Balluku në një tryezë diskutimi për dhunën ndaj grave në hapësirën digjitale.