Balluku: Mbërrin makineri e re për linjën hekurudhore Tiranë-Durrës-Rinas
Ka mbërritur në Shqipëri një makineri e re moderne, e cila do të shërbejë në punimet për linjën hekurudhore Tiranë-Durrës-Rinas.
Ministrja e Infrastrukturës dhe e Energjitikës, Belinda Balluku ka ndarë disa pamje nga punimet, ndërsa shkruan se kjo makineri e quajtur “Tamping ose ndryshe ‘rrahëse’, është një makineri vetëlëvizëse e montuar në hekurudhë.
“Ajo përdoret për të paketuar/shtypur çakëllin/ballastin e binarëve nën shinat, duke i bërë ato më të qëndrueshme dhe në nivel. Makineritë rrafëse janë thelbësore për përdorimin e traversave të betonit, pasi ato janë shumë të rënda (zakonisht mbi 250 kg).
Gjithashtu, Tamping korrigjon shtrirjen e shinave për t’i bërë ato paralele dhe në nivel, në mënyrë që të arrihet një udhëtim më i rehatshëm për pasagjerët dhe mallrat. Linja hekurudhore Tiranë-Durrës-Rinas do të jetë një linjë tërësisht elektrike, me një impakt të rëndësishëm në fushën e transportit në vend”, shprehet Balluku.