Balluku në takimin e ministrave të Transportit në Budapest: Hekurudha Shkodër-Gjakovë, projekt kombëtar

Projekti i Korridorit VIII dhe Korridori X kanë qenë në fokus të diskutimeve të zv/kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku në takimin e ministrave të Transportit në Budapest. Balluku njoftoi se ka folur me homologun kosovar për hekurudhën e përbashkët kombëtare që do të lidhë Shkodrën me Gjakovën dhe që do të bëhet më pas pjesë e Korridorit të X, duke i dhënë Shqipërisë dy aksese.

“Kemi folur për një sërë projektesh të përbashkëta, siç është Korridori i VIII, apo Korridori i X, por nga ana tjetër edhe me kolegun Liburn Aliu, me Ministrin e Kosovës, kemi arritur që të diskutojmë për ecurinë e një nga projekteve tona më të rëndësishme kombëtare, atë që do të lidhë Shkodrën me Gjakovën, hekurudhën e re, që do të bëhet më pas pjesë e Korridorit të X, duke i dhënë kështu Shqipërisë dy aksese, në Korridorin e VIII përmes Maqedonisë së Veriut dhe në Korridorin e X përmes Kosovës”, tha Balluku.

Në këtë takim Balluku ka ndarë shqetësimin përsa i përket financimeve që vijnë nga Bashkimi Europian dhe kohës për shkak të burokracive që merr një projekt për t’u realizuar. Po kështu Balluku ka mbështetur deklaratën e zv.kryeministrit italian për zhvillimin e zonës së Ballkanit Perëndimor.

“Jam ndjerë shumë mirë për faktin se Zëvendëskryeministri Salvini ka mbështetur gjithashtu këtë tezë që vendet e Bashkimit Europian duhet të kenë një fokus të veçantë në zhvillimin e zonës së Ballkanit Perëndimor, si një zonë qendrore e cila lidh disa nga shtetet e Bashkimit Europian, ashtu siç është rasti i Korridorit të VIII, ku ndërlidhet Bullgaria dhe Italia, dy vende të Bashkimit Europian, por në mes të këtij Korridori qëndron Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, si pjesë e vendeve kandidate për t’u anëtarësuar”, deklaroi ministrja.

SHKARKO APP