Bamir Topi: Jam zhgënjyer nga Rama. Nuk përjashtoj bashkëpunimin me Bashën

Dy prej udhëtarëve të tij në krijimin e Frymës së Re Demokratike, Gazmend Oketa dhe Aleksandër Biberaj tashmë janë rikthyer në Partinë Demokratike, si anëtarë të këshillit të saj kombëtar.

Ndërsa para janë zgjedhjet parlamentare të 2021, Bamir Topi nuk përjashton afrimin dhe bashkëpunimin me koaliconin e djathtë opozitar. Madje ai pranon se ka komunikim me kreun e PD, Basha dhe qendron mundësia e aleancës me partinë, ku për vite me radhë ishte në krah të Sali Berishës.

“Njeriu nuk përjashton komunikimin. Muajt në vazhdim, ndonëse janë shumë afër zgjedhjeve mund të japë shanse për skema të reja të konfigurimit të blloqeve. Ne natyrisht do shohim. Në profilin tim jam një njeri që se kam braktisur bindjen e së djathtës”, shprehet ish presidenti.

Pas konflikteve si president me Sali Berishën kryeministër, jo vetëm u zemërua me forcën e tij politike, prej të cilës u bë kryetar shteti, por në 2015-en, Bamir Topi kapërceu në një koalicion të majtë, duke u reshtuar në krah të Edi Ramës në garën vendore.

Qeverisja e socialistëve, por edhe ndryshimet e fundit kushtetuese, për hapjen e listave zgjedhore që prekin formulën e koalicioneve të përbëra, duket se i kanë hequr besimin tek socialistet kryetarit të FRD-se.

“Teknikalitet, artificë që vetë kryeministri e përdor. Ai e tha që nuk mendoj për të ardhmen politike të tjerëve, por të PS”, shtoi Topi.

Në intervistën për A2, Bamir Topi thotë se mbështet listat e hapura, por kërkon që e gjithë fomula e re të zbatohet në mënyrë të drejtë.

“Unë jam për lista të hapura, jam për garë të ndershme. Mos ketë stërkëmbësha”, përfundon ish presidenti.

SHKARKO APP