Bamir Topi kërkon sqarimin e lidhjeve të Flamur Nokës me UDB
Gjatë mbledhjes së Asamblesë Kombëtare të FRD, ish kreu i Shtetit theksoi se Sali Berisha ndryshoi në 2006-ën draftin për ligjin e hapjes së dosjeve, për të mbrojtur, sipas tij, personat që i përkisnin shërbimeve të huaja agjenturore. Ai kërkoi që të sqarohen ligjërisht dhe publikisht lidhjet e Flamur Nokës me UDB dhe të shikohet se çfarë ndikim ka patur heqja e agjentëve të huaj nga projektligji për dosjet që Berisha coi në Kuvend më 2008-
“Mbi bazën e disa të dhënave që s’janë të miat por janë të ekspozuara, ish Ministri i Brendshëm ka një suspekt të fortë që duhet t’i sqarojë, për lidhjet me Shërbimin Sekret Jugosllav. Me shërbimin informativ serb. I takon atij t’i sqarojë. Dhe po i kthehem një pyetje që e kam bërë në momentin kur isha President. Ka qenë një qëndrim konstant nga ana ime për hapjen e dosjeve të Sigurimit të Shtetit. Pse ndryshoi drafti i vitit 2006-ë? Ai draft kishte dy autorë, personin tim dhe zotin Majko. Dhe në vitin 2008-ë, erdhi në një formë tjetër. Dhe pyetja ka qenë e drejtpërdrejtë për ish-kryeministrin, pse brenda draftit ligjor, zotëri, nuk e fut kategorinë e bashkëpunëtorëve të agjenturave të huaja? Përgjigjen s’e mora asnjëherë. E di ai...”, u shpreh Topi, duke theksuar se historia e bashkëpunëtorëve të agjenturave të huaja është një fenomen i cili e ka shoqëruar këtë vend gjithmonë me shumë dyshime.
Bamir Topi theksoi se kryeministri Rama duhet të dërgojë draftin në Kuvend për miratim reformen ne drejtesi dhe jo t’i lutet PD-së. Nëse Kuvendi dështon, tha ai, atëherë reforma në drejtësi të shkojë në referendum.
“Unë i bëj një thirrje me atë cilësi që thash në fillim, që zoti Rama që është kryetar i mazhorancës, duhet t’i lejë lutjet dhe duhet që drafti i supervizuar nga Venecia të hyjë në parlament. Ky është propozimi ynë. Njerëzit nuk kanë nevojë të dëgjojnë nga selitë e partive politike, por të dëgjojnë nga tempulli të cilin ata e kanë ndërtuar nëpërmjet votës së tyre, ndonëse vota e elektoratit mund të ketë qenë e deformuar, se ndryshe nuk do të kishim një parlament të tillë”, tha Topi.
KOHA JONË SONDAZH

