Bamir Topi: Mos prisni nga liderë që 25 vjet qenë shembëlltyra e diktatorit
Bamir Topi, kreu i FRD-së, i ka kërkuar sot të rinjve të marrin situatën e vendit në dorë dhe të mos presin zgjidhje nga “liderët prepotentë të partive” apo nga “ata që 25 vjet shërbyen si sekretarë politikë të Enver Hoxhës dhe 25 vjet më pas, si shembëlltyrë e diktaturës së tij.”
Në një ligjëratë me tone të ashpra, mbajtur në FRD, në përkujtim të ditës së rrëzimit të bustit të diktatorit Enver Hoxha, Topi ka theksuar se shqiptarët ende nuk e kanë fituar lirinë dhe demokracinë që kishin ëndërruar. “Kjo nuk është liri, – tha ai, – kjo është liri formale.
Sot ne duhet ta zgjojmë këtë ndërgjegje. Elektorati shqiptar, për hir të së vërtetës, ka pasur një sjellje të çuditshme; është mbajtur si sanduiç mes palëve politike për të mbajtur pushtetet politike dhe sot është më keq se kurrë.
Unë sot jap një apel të drejtpërdrejtë për të gjithë brezin e ri të Shqipërisë: Mos pritni t’ju vijë asnjë dhuratë nga liderët prepotentë të partive politike, mos u përdorni për qëllimet e tyre, merreni vetë situatën në dorë. Jeni të shkolluar, të emancipuar ndërkohë që niveli juaj është më i lartë se i atyre që kanë shkuar në krye të institucioneve apo partive politike me rrugë jo të ndershme apo militantizëm. Mos pritni të vijë nga ata që 25 vjet shërbyen si sekretarë politikë të Enver Hoxhës dhe 25 vjet më pas, si shembëlltyrë e diktaturës së tij.”
Topi vërejti se sot, politika s’ka më synime politike, por ka interesa ekonomike, për përfitime, “megapole” dhe kjo situatë ka ngjallur apati dhe frikë. “Unë kam parë dhe akademikë mjeranë, – tha ai, – që i janë nënshtruar liderit politik. Ata mund të jenë akademikë të emëruar po jo intelektualë. Intelektuali i vërtetë e thotë mendimin e tij pavarësisht konjukturave politike.
Kam parë njerëz që nuk kanë më interesa politike, ku ta gjeje t’i kishin, po kanë interesa të “megapoleve” për interesa ekonomike. Me thënë të drejtën, ditë pas dite po më venitet respekti për shumë politikanë i kam njohur nga afër, që rrinë me frikën se mos u pengohet biznesi, se mos iu hiqet vendi i punës, se mos iu heqin vazjën nga puna…Ata e kanë braktisur misionin e tyre intelektual dhe kjo është liri formale,” – theksoi Topi.