Bamir Topi: SPAK nuk është i kapur, i është afruar edhe strofkullës së pushtetit

Bamir Topi, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, ka folur për SPAK.

Sipas ish Presidentit, SPAK është institucioni më i pakapur në vend dhe se i është afruar edhe “strofkullës së pushtetit”.

“Më rezulton në analizën time se SPAK është i vetmi institucion që nuk është i kapur drejtpërdrejt, siç ndodh me institucionet e tjera. Fakti që aksioni është në front të gjerë, pa dallime, nuk them deri në çfarë niveli, por jam në sinkron me një opinion të gjerë publik, që shkon 75% në mbështetje.

Shoh që i është afruar shumë strofkullës edhe të pushtetit. Në rast se merr një anëtar, dy, tre të kabinetit qeveritar, në çdo vend të botës kur ndodh një skandal… Do të thoni nuk jemi ne në atë lloj standardi që kryeministri jep dorëheqjen sepse i ndodh një skandal që nuk ka të bëjë fare me detyrën e tij, ndodh një tragjedi dhe dorëhiqet, nuk jemi në atë nivel. Por kur ministrat në rradhe janë ose në gjykim, ose në proces hetimor dhe këtë e bën një instrument jashtë qeverisë, atëherë të bën të mendosh se nuk varet nga ai, ose ky qenka jashtëzakonisht i sofistikuar që ne nuk arrijmë ta kuptojmë.

Mendoj se është një proces që ka ardhur nga vetëdija e Parlamentit. Parlamenti në 2016 ishte në trysni për të filluar reformën në drejtësi. Por mbështetja ishte e qartë. Dukshëm kemi parë që sa herë ka një situatë të vështirë në perceptimin e asaj që ndodh ata (amerikanët) janë bërë të dukshëm, duke thënë i japim mbështetje këtij institucioni. Mbështetja është e qartë, transparente.

Unë kam qenë edhe në kabinet qeveritar me zotin Meksi. Ka patur një lloj pasioni, idealizmi në politikë. Mënyra se si studiohej një projektligj, se si filtrohej, mbledhjet e kabinetit qeveritar, që bëheshin të regjistruara fjala e gjithësekujt, duhet të jenë sot në rekorde, çdo gjë ishte transparente. Këtu vjen historia me vendime qarkulluese, që thotë vendos 17 firma pa i parë. Kryeadministratori i shtetit, mendon se mund ti vendosë firmat për 30 sekonda, nuk është normale kjo. E dyta, tentative për të vendosur pjesën dixhitale dhe për të errësuar pjesën dokumentare, është gjëja më e dëmshme që po ndodh në Shqipëri. Që nga Roma e lashtë janë dokumentat”, tha ndër të tjera Topi.

SHKARKO APP