Bamir Topi: Sulmet e Ramës ndaj BE-së janë të tepruara, SPAK po ”bën nxehjen”
Ish-presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi thotë se Shqipëria nuk është gati të integrohet në Bashkimin Europian, dhe se sulmet e kryeministrit Edi Rama drejt BE i sheh si të tepruara.
“Në çdo dalje sulmon BE. Europa ka problemet e veta, por ne kemi më shumë probleme, kjo është alibi që Rama tenton ta përdorë, por e tepron, nuk mund të sulmohet BE në çdo moment, duket sikur kemi dalë te rrugica e lagjes së vjetër. Nuk është gjuhë politike kjo, nga ana tjetër a jam unë i dyzuar nëse e kemi ne problemin apo ato, sigurisht e kemi të dyja pakët. Ju mendoni se gjërat shkojnë siç duhet në vend. Të përdorësh alibinë e kundërshtimit në një kohë kur nuk i bën për gjërat që i ndodhin vendin, nuk është gjuhë politike kjo. Shqipëria nuk është gati, janë shumë gjëra që nuk shkojnë, ka probleme të mëdha me demokracinë, është një njeri që i ka të gjitha pushtetet, ka një marrëdhënie hegjemoniste në politike, tentohet të mbahet një opozitë që nuk është opozitë, por që nuk i krijon asnjë problem kryeministrit, të mos flasim për administratën”, tha Topi për ”Report Tv”.
Për operacionet e fundit të SPAK-ut, Topi thotë se është vetëm fillimi, mirëpo thekson se këtij institucioni po i ushtrohet një presion shumë të madh nga qytetarët, mediat, politika.
”Institucioni duhet të punonte i qetë, por kam parë që ka shumë kohë televizive, dhe gazetat hapen me këto titujt dhe eksperienca është e keqe. Një presion i madh mediatik destabilizon çdo njëri, ato i kanë konturet institucionale. Nëse hapet një çështje ku të dhënat janë konkrete, në abuzime financiare, patjetër janë ata aty. Institucioni duhet të shoh dominancën e problemit, nëse nuk i merr çështjet e mëdha është një problem i madh, nëse nuk merret me problemet e mëdha, atëherë humb besueshmërinë. Të merren me tenderat e fuqishëm që e kanë çuar Shqipërinë nga pikëpamja ndërkombëtare drejt e në gropë”.