Bamir Topi: Të orientuar drejt bashkëpunimit, vazhdojnë negociatat me PS
Kryetari i partisë Fryma e Re Demokratike, Bamir Topi ishte sot në qytetin e Korçës, ku mori pjesë proçesin e zgjedhjes së Kryetarit të Degës së FRD-së, në këtë qytet, sipas parimit “një anëtar një votë”. Me këtë rast ish-presidenti Topi ka uruar besimtarët Ortodoksë për festën e Pashkëve, ndërsa ka folur edhe në lidhje me negociatat që kjo forcë politike po bën me Partinë Socialiste për një koalicion të mundshëm para zgjedhjeve lokale të 21 qershorit. Në lidhje me këtë çështje Bamir Topi është shprehur se negociatat me PS po vijojnë dhe se asgjë nuk ka përfunduar. “Çdo parti orientohet drejt bashkëpunimit”, është shprehur ai teksa ka theksuar se FRD-ja ka demonstruar forcën e saj.
Kryetari i FRD ka folur edhe rreth dekriminalizimit të parlamentit, duke u shprehur se problemi qëndron në faktin që parlamenti është ndërtuar mbi bazën e një kodi zgjedhor që i ka dhënë hapësira të shumta të cilat nuk i takojnë dhe kjo bën që deputetët të kenë një sjellje arrogante. – “Ne jemi në linjën e pastrimit të politikës dhe kjo nis nga partitë politike, pasi atje është filtri”, është shprehur Topi nga Korça.