BAN: Qindra tonelata mbetjesh industriale pritet të kthehen në Durrës më 27 tetor

Organizata jo qeveritare amerikane ‘Rrjeti i Aksionit të Bazelit’, tha të hënën se rreth 2,100 tonelata mbetjesh industriale, që dyshohet se përmbajnë lëndë të dëmshme helmuese, të paketuara në 102 kontejnerë, pritet të kthehen në vendin e tyre të origjinës në Shqipëri me 27 tetor nëpërmjet portit italian të Gioia Tauro, pasi kanë lundruar deri në Singapor në rrugën e tyre drejt Tajlandës.

Rrjeti thekson se kthimi i planifikuar mund të shënojë fundin e muajve të intrigave dramatike pasi grupi që mori një informacion nga një sinjalizues, paralajmëroi Shqipërinë, disa vende tranziti dhe Tajlandën për dërgesën masive të asaj që besohet se është lëndë helmuese nga hiri i oxhaqeve metalurgjike.

Pas paralajmërimit, thuhet në njoftim, qeveria e Tajlandës refuzoi importin dhe grupi BAN më pas mori garanci nga linjat e transportit, përfshirë kompaninë daneze Maersk dhe Kompaninë Mesdhetare të Transportit (MSC) se do të siguronin kthimin e sigurt të kontejnerëve në portin e Durrësit në Shqipëri.

“I bëjmë thirrje Shqipërisë që të hap kontejnerët publikisht dhe në prani të grupeve të pavarura si BAN-i dhe të ndajë mostrat që mund të analizohen paralelisht në laboratorë të ndryshëm”, tha drejtori ekzekutiv i grupit BAN, Jim Puckett. “Vetëm testimi i hapur dhe transparent i përmbajtjes do t’i sigurojë publikut besimin në rezultatet dhe natyrën e këtyre dërgesave të nisura për në Tajlandë dhe dëmin që ato mund të kenë shkaktuar si atëherë kur qëndronin në Durrës, ashtu edhe nëse do të kishin arritur në vendin e synuar në Tajlandë”.

Aktualisht, të gjithë kontejnerët janë në portin e vogël Asyaport në Turqi, në pritje të mbërritjes së anijes turke të kontejnerëve Burak Bayraktar, e cila pritet të transportojë të 102 kontejnerët në fjalë nëpërmjet portit Gioia Tauro në Itali për në Durrës.

Kontejnerët u transportuan në muajin korrik nga Shqipëria në Trieste të Italisë, ku u ngarkuan në dy anije me qira të kompanisë Maersk. Ndërsa dy anijet lundronin drejt Azisë Juglindore, grupi BAN dhe partnerët e tij dhanë alarmin dhe punuan pa pushim për t’i ndalur anijet nga vendet tranzit dhe të refuzoheshin nga Tajlanda.

Gjatë rrugës, të dyja anijet u “zhdukën” nga radarët. Maersku më në fund pranoi t’i kthente kontejnerët në Durrës, pasi ata mbërritën në Singapor.

Sipas Konventës së Bazelit, traktatit të OKB-së që rregullon tregtinë e mbetjeve të rrezikshme dhe mbetjeve të tjera, transporti i mbetjeve të rrezikshme pa miratimin e vendit eksportues (në këtë rast Shqipërisë), vendeve tranzit ose vendit të planifikuar importues (në këtë rast Tajlandës) praqet trafik të paligjshëm të mbetjeve. Në njoftimin e BAN-it thuhet se Shqipëria nuk është informuar asnjëherë për eksportin nga eksportuesi, shtetet tranzit nuk janë informuar dhe Tajlanda gjithashtu nuk ka marrë asnjë njoftim.

Grupi është shprehur i gatshëm të qëndrojë në Durrës për të mbështetur qeverinë shqiptare në kontrollimin dhe trajtimin e kontejnerëve.

“Është e rëndësishme që kjo çështje të mos fshihet nën tapet”, tha zoti Puckett. “Ne jemi të shqetësuar për trajtimin jo të duhur të këtyre mbetjeve në portin e Durrësit, në të kaluarën, tani dhe në të ardhmen. Si u depozituan mbetje të tilla pa mbrojtje në port dhe u gjendën në anijet për në Tajlandë dhe Kinë pa njoftimin e duhur?… Duhet menjëherë një hetim i plotë dhe një strategji për menaxhimin e mbetjeve të tilla”, tha ai.

Nuk pati ndonjë reagim të menjëhershëm nga qeveria shqiptare, por në muajin gusht, dy ministri thanë në një deklaratë të përbashkët se “Shqipëria nuk mundet të pranojë apriori rikthimin e ngarkesave të tilla vetëm mbi bazën e dyshimeve e të spekulimeve, pa realizimin e analizave shteruese …”./VOA/

*Së shpejti më gjerësisht….

SHKARKO APP