Banka Botërore: Rritja ekonomike në Shqipëri për 2021, pritet të jetë më e larta në rajon

Përmes një takimi online me gazetaret, është prezantuar sot në Tiranë, raporti ekonomik i Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor, vjeshtë 2021.

Raporti tregon se rajoni i Ballkanit Perëndimor është përmirësuar në mënyrë të konsiderueshme, me një rritje të PBB-së që parashikohet të arrijë në 5,9 për qind për 2021, pas tkurrjes me 3,1 për qind në vitin 2020.

Përsa i takon Shqipërisë, rimëkëmbja ekonomike ka qene më e shpejte seç pritej, pas krizës historike të shkaktuar nga pandemia COVID-19.

Pas tkurrjes së ekonomisë me 4 për qind gjatë vitit 2020, për vitin 2021, parashikohet që rritja e PBB-së të shkojë në 7,2 për qind.

Në fjalën e tij, Menaxheri i Zyrës së Bankës Botërore për Shqipërinë, Emanuel Salinas tha se “Gjatë vitit 2021, ekonomia shqiptare ka shfaqur shenja inkurajuese të rimëkëmbjes. Me fuqizimin e rritjes, Shqipëria ka mundësi të forcojë qëndrueshmërinë e modelit të saj ekonomik dhe të zbatojë reformat që do të mbështetin më tej rritjen gjithëpërfshirëse e të qëndrueshme, duke ruajtur stabilitetin makroekonomik”, ka thënë ai.

Prezantimi i zhvillimeve ekonomike për Shqipërinë u bë nga ekonomistja e zyrës së BB-së për Shqipërinë, Hilda Shijaku.

SHKARKO APP