Banorët e Bërxullit ndjekin të njëjtin skenar, bllokojnë rrugën e Rinasit: S’na mbajnë më nervat
Protesta e Bërxullës edhe sot kanë ndjekur të njëjtin skenar si çdo të dielë. Ata kanë bllokuar rrugën e Rinasit dhe kanë refuzuar të ngrihen, duke mos reaguar ndaj ndërhyrjes së efektivëve të policisë.
Gratë kanë kërkuar ardhjen e instancave shtetërore për zgjidhjen e problematikave të tyre dhe kanë vijuar thirrjet në mbrojtje të pronës së tyre. Policia i ka lajmëruar banorët në rrugë se po konsumonin një vepër penale, thirrje të cilën banorët e kanë injoruar dhe kanë refuzuar kategorikisht largimin.
“Nuk e dimë ku do përfundojnë fëmijët tanë nesër, u merret prona e shtëpia dhe shteti rri indiferent. Sot që jemi në ditën e 150-të protestës na vjen një informacion. Na vjen që nuk kanë arritur akoma në përfundimin për vlerën e pronës tonë. Ligji e parashikon, një vit para projektit duhet bërë inventarizimi i pronave dhe të dalë çmimi i pronës. Shteti nuk ka dëshirë për ta zgjidhur çështjen që është shumë e thjeshtë“.