Bardh Spahia betohet si kryetar i bashkisë Shkodër: Mandati që nis sot është i shkurtër, por me shumë punë
Kandidati i koalicionit ”Shtëpia e Lirisë”, Bardh Spahia nga sot është zyrtarisht kryetari i bashkisë Shkodër. Spahia u betua përpara anëtarëve të Këshillit Bashkiak si dhe firmosi formulën e betimit.
Ai tha në fjalën e tij, se do të jetë kryetar i të gjithë shkodranëve, pavarësisht nga zgjedhja e tyre më 6 mars. Po ashtu Spahia bëri thirrje për bashkëpunimin e të gjithëve, për Shkodrën dhe shkodranët, për të çuar përpara projektet për kryeqendrën e veriut dhe thithjen e investimeve të reja në qytet.
”Mandati që nis sot, është i shkurtër, i mbushur me sfida e shumë punë. Unë shpresoj se në mbyllje të tij, kur të bëjmë një bilanc, të gjithë bashkë, të jemi krenar për atë që kemi bërë për Shkodrën, për familjet tona e sidomos fëmijët tanë. Në këtë stafetë të pandalshme, është mundësia, privilegji e përgjegjësia jonë që me përkushtim e ndershmëri, të japim kontributin tonë duke mësuar nga e kaluara dhe me vizion për të ardhmen. Ia kemi borxh të parëve tanë, por edhe detyrim ndaj të ardhmes të fëmijëve tanë”.
Fjala e plotë e kryetarit të ri, Bardh Spahia
Sot është një ditë shumë e veçantë për mua. Nisim sot së bashku një mision për t’i shërbyer Shkodrës dhe shkodranëve, pasi ata më mbështetën e votëbesuan më 6 mars 2022. Vij sot para jush me përgjegjësinë e besimit që më dhanë banorët e Shkodrës nga Shala në Velipojë, nga Ana e Malit në Gurin e zi, në qytet dhe njësitë administrative.
Falënderimi im është për të gjithë pa përjashtim, ata që më votuan dhe ata që për një arsye apo tjetër nuk votuan për mua. Unë kam bërë një premtim para banorëve të Shkodrës gjatë fushatës elektorale dhe e përsëris sërish para jush edhe sot: Do të jem kryetar i gjithë shkodranëve, pavarësisht zgjedhjes së tyre me 6 mars 2022. T’i shërbej Shkodrës është nder por mbi të gjitha përgjegjësi e madhe për mua.
Është e vertetë që ky mandat që nis sot, është i shkurtër në kohë, por Ne do të japim maksimumin tonë, të gjithë bashkë, që jo vetëm të realizojmë projektet e prioritetet tona por të kërkojmë e të gjejmë edhe mundësi të tjera për të shtuar investimet dhe vëmendjen ndaj Shkodrës. Kohën që kemi në dispozicion, duhet ta shfrytëzojmë në maksimum, siç edhe duhet të bashkëpunojmë të gjithë bashkë, pa asnjë dallim, për Shkodrën e shkodranët. Tani është momenti të nisim punën për shtëpinë tonë të përbashkët, për të ndërtuar të sotmen me vështrimin nga e ardhmja.
Nga dita e sotme, unë si kryetar i bashkisë dhe ju si këshilltarë bashkiakë, nisim së bashku një rrugëtim me synimin t’i shërbejmë sa më mirë Shkodrës e shkodranëve. Përpara se të jemi në këto detyra, para se të jemi përfaqësues të një subjekti të caktuar politik që na ka propozuar a mbështetur, jemi shkodranë. Nëse bashkojmë përpjekjet tona, zërat tonë për Shkodrën, jam i sigurtë se jo vetëm do të dëgjohemi më shumë e më larg, por edhe bashkia jonë do të ketë më shumë vëmendje, investime e zhvillim.
Dera e Bashkisë Shkodër, do të jetë e hapur për çdo shkodran, do të jetë një qeverisje me shkodranët e për shkodranët, pa asnjë dallim për askënd. Mandati që nis sot, është i shkurtër, i mbushur me sfida e shumë punë. Unë shpresoj se në mbyllje të tij, kur të bëjmë një bilanc, të gjithë bashkë, të jemi krenar për atë që kemi bërë për Shkodrën, për familjet tona e sidomos fëmijët tanë. Në këtë stafetë të pandalshme, është mundësia, privilegji e përgjegjësia jonë që me përkushtim e ndershmëri, të japim kontributin tonë duke mësuar nga e kaluara dhe me vizion për të ardhmen. Ia kemi borxh të parëve tanë por edhe detyrim ndaj të ardhmes të fëmijëve tanë.
Sot është kënaqësi të falënderoj publikisht të gjithë kryetarët e bashkisë që ka patur Shkodra deri më sot sepse kontributi i tyre është tepër i çmuar në shërbim Shkodrës e të shkodranëve. Unë besoj më shumë tek puna, tek rezultatet e saj se tek fjalët, të cilat sigurisht kanë rëndësinë e tyre në këtë fjalë të parë si kryetar i bashkisë Shkodër. Uroj me zemër që në këto muaj të këtij mandati të shkurtër, të dalim faqebardhë të gjithë bashkë, duke lënë gjurmën tonë për të bërë Shkodrën ashtu siç i takon dhe i ka hije. Na u priftë e mbara të gjithëve bashkë, në shërbim të Shkodrës e shkodranëve.