Gazment Bardhi: Dalja me dy kandidatë i siguron Ramës fitoren në tavolinë
Deputeti demokrat, Gazment Bardhi, thotë se me zgjedhjet e 14 Majit, po tentohet që të përsëritet 2019. Duke ia hequr përgjegjësinë grupimit të Enkelejd Alibeajt dhe duke ia faturuar këtë grupimit të Sali Berishës, ai tha se mosdalja me një kandidat në zgjedhje, do të sjellë sërish fitoren e Edi Ramës dhe do të asgjësonte PD-në.
“Ka pasur përpjekje që të jemi të përfaqësuar me një alternativë unike. Që betejën të mos ta kishim me demokratë mes vetes, por me Ramën. Pjesa tjetër që janë rreshtuar me Berishën jo vetëm që nuk kanë qenë të hapur për zgjidhje, por kanë qëndruar të ngurtë për ta ndarë edhe në zgjedhje në dy pjesë PD-në. Nuk ishin të gatshëm për të dëgjuar e propozimet tona dhe po nxisin diçka të rëndë për Shqipërinë.
Po nxisin që zgjedhjet lokale të kenë rezultat të paracaktuar me fitues Edi Ramën dhe një betejë që do të asgjësonte çdo pjesë të PD. PD duhet të hynte e bashkuar për të synuar fitoren në 61 bashki. Grupimi që drejtohet nga Berisha ka objektiv përplasjesh mes demokratëve dhe përsëritjen e 2019-ës. Po tentohet të përsëritet 2019. Nëse demokratët përplasen me njëri-tjetrin, fiton Rama dhe rezultati është i njëjtë me 2019”.
Bardhi tha se grupimi Alibeaj ka gati 61 kandidatë për zgjedhjet e 14 majit. Një vit e gjysmë konflikt i brendshëm në Partinë Demokratike, sipas Bardhit ka sjellë ndasi edhe në bazë.