Bardhi: Do të zgjedhim kandidatët më të mirë, opozita do të fitojë thellë në zgjedhje

Gazment Bardhi është i sigurt për fitoren e opozitës së bashkuar në zgjedhjet e 25 prillit të vitit të ardhshëm. Sekretari i përgjithshëm i PD-së ishte sot në Gjirokastër, ku ndoqi nga afër procesin e votimit për kandidatët për deputetë.

Në një prononcim për mediat, Bardhi tha se pritshmëritë e PD-së dhe opozitës së bashkuar janë për fitore në qarkun e Gjirokastrës, por në të gjithë vendin, pasi sipas tij, qeveria e ka diskriminuar Jugun.

Interesi i anëtarëve të partisë është i madh, që tregon se është një proces që dëgjon zërin e qytetarëve për t’u shprehur mbi cilësinë e kandidatëve, që Gjirokastra të përfaqësohet me njerëz me integritet.

Uroj që procesi të shkojë pa probleme dhe në fund të zgjidhen me të mirët, që të paraqitemi me njerëzit me të mirë. Kjo nuk është lista finale, por e kandidatëve, por e sigurt është që përfaqësuesit e PD-së në listën finale do të jenë më të mirët të Gjirokastrës.

Gjatë 7 viteve që qeverisemi nga Rama, jo vetëm Gjirokastra, por gjithë Jugu ka qenë i diskriminuar, ka munguar vëmendja ndaj halleve të qytetarëve dhe biznesit. Braktisje totale nga qeveria. Prishtimëria e PD-së jo vetëm për Gjirokastrën por gjithë Shqipërinë është fitore e thellë. Në Gjirokastër opozita e bashkuar do të jetë fituese” tha ai.

Intervista e Gazment Bardhit

Gazment Bardhi: Sot anëtarët e Partisë Demokratike janë ftuar për të konfirmuar apo kontestuar kandidatët për përfaqësues politikë të Partisë Demokratike. Është një proces i ri që ndodh për herë të parë në një parti politike dhe e aplikon PD. Deri tani procesi ka ecur shumë mirë, jo vetëm në degën e Gjirokastrës ku po ndiqet prej meje, por edhe në degë të tjera të qarkut të Gjirokastrës ku janë të deleguar për të ndjekur procesin nënkryetarët e partisë. Siç e shikoni, interesi i anëtarëve të partisë është shumë i madh që tregon se ky është një proces që respekton dhe dëgjon zërin e qytetarëve, në rastin konkret të anëtarëve të PD, për t’u shprehur ata mbi cilësinë e kandidatëve që në fund, Gjirokastra, nga PD të përfaqësohet me njerëz me integritet, që anëtarët e partisë i besojnë dhe i kanë votëbesuar. Uroj shumë që deri në përfundim, procesi të shkojë pa probleme siç vijon deri në këto momente, dhe në fund të procesit të zgjidhen më të mirët. Pra ne të kemi mundësi të paraqitemi tek qytetarët e qarkut të Gjirokastrës me njerëzit më përfaqësues të tyre, me njerëzit më të ndershëm, më të mirë dhe që do të jenë përfaqësues real të interesit të qytetarëve dhe jo të interesit të partive politike, të kryetarëve të partive politike apo, siç ndodh me kundërshtarin tonë, të interesit të krimit të organizuar dhe të parave të pista të krimit të organizuar.

Pyetje: Si është bërë përzgjedhja e kandidatëve të PD në qarkun e Gjirokastrës? A janë pyetur anëtarësia apo edhe qytetarët e thjeshtë për këtë pjesë?

Gazment Bardhi: Së pari, ka pasur një fazë të parë të procesit, ku secili prej anëtarëve të partisë ka pasur mundësi të propozojë emrat e kandidatëve për deputetë apo për kryetar bashkie. Dhe secili prej emrave që është në listën që është sjellë për konfirmim, ka qenë një emër i propozuar nga anëtarët e partisë. Më pas një komision i vlerësimit të kandidatëve ka bërë vlerësimin e tyre dhe ka sjellë për konsultim disa emra tek anëtarët. Sigurisht, që kjo nuk është lista finale e kandidatëve për deputetë apo për kryetarë bashkie, do të ketë një fazë tjetër vlerësimi veçanërisht të integritetit të secilit prej kandidatëve, përsëri nga komisioni i vlerësimit dhe, më pas, do të ketë një filtër real vlerësimi të kontributeve në parti, veçanërisht gjatë këtyre 7 viteve në opozitë, nga kryesia qendrore e partisë dhe më pas nga Këshilli Kombëtar. Pra, kjo nuk është lista finale e deputetëve, është lista e kandidatëve për të qenë kandidatë për deputetë. Ajo që është e sigurt është që përfaqësuesit e Partisë Demokratike që do të jenë në listën finale për deputetë do të jenë përfaqësuesit më të mirë të qytetit të Gjirokastrës dhe të qarkut Gjirokastër.

Pyetje: Cilat janë pritshmëritë tuaja duke qenë se qarku i Gjirokastrës historikisht ka qenë një qark që ka synuar majtas. Cilat janë pritshmëritë tuaja për këto zgjedhje? Dhe nga ana tjetërm ai i trembet PD, Partisë Socialiste?

Gazment Bardhi: Ajo që unë kam vërejtur gjatë këtyre 7 viteve që qeverisemi nga Edi Rama, kam parë që jo vetëm Gjirokastra, por në përgjithësi i gjithë jugu ka qenë i diskriminuar. Ka munguar investimi, ka munguar vëmendja ndaj halleve dhe problemeve të qytetarëve. Ka munguar mbështetja biznesit. Edhe gjatë kësaj përiudhe pandemie siç keni parë, shumë nga bizneset në Gjirokastër, një qytet i mrekullueshëm dhe turistik, ka qenë në vështirësi çdo biznes për shkak të situatës së krijuar nga pandemia. Nëse sot dalim në qytet dhe i pyesim bizneset, nëse kanë marrë mbështetje nga qeveria, edhe pse i kanë dhënë votën Edi Ramës, përgjigja është një dhë e vetme: braktisje totale nga qeveria në këtë moment, ku qytetarët dhe bizneset kanë nevojë. Prandaj pritshmëria e PD, jo vetëm për Gjirokastrën, po për të gjithë Shqipërinë është një fitore e thellë. Përsa i përket qarkut të Gjirokastrës, ju siguroj, këtë e di edhe kundërshtari ynë, që opozita e bashkuar do të jetë fituese në qarkun e Gjirokastrës.

SHKARKO APP