PD: Etilda Gjonaj bën mirë të gjejë një avokat
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Gazment Bardhi ka reaguar pas deklaratave të ministres së Drejtësisë Etilda Gjonaj.
Përmes rrjeteve sociale, Bardhi e këshillon e Gjonajn që të gjejë një avokat të mirë, pasi ajo është e pambrojtshme ndaj akuzave që i rëndojnë, teksa thekson se ministrja e Drejtësisë ka shkelur Kushtetutën, ka shpërdoruar detyrën dhe ka marrë pjesë në një akt mafioz për asgjesimin e Gjykatës Kushtetuese.
“Në vend që të mashtrojë qytetarët, Etilda Gjonaj bën mirë të gjejë një avokat. Sikur Edi Rama vetë të drejtojë personalisht mbledhjet e SPAK-ut, ajo është e pambrojtshme. Ministrja e Drejtësisë ka shkelur Kushtetutën, ka shpërdoruar detyrën dhe ka marrë pjesë në një akt mafioz për asgjesimin e Gjykatës Kushtetuese.
Provat e paraqitura nga Presidenti për grabitjen e një anëtari të Gjykatës Kushtetuese nga ana e qeverisë, edhe përmes veprimeve të paligjshme të Ministres së Drejtësisë, janë të qarta dhe të pakundërshtueshme. Etilda Gjonaj duhet të japë llogari para drejtësisë! Është një test i rëndësishëm për SPAK-un, i cili do të tregojë, nëse reforma në drejtësi ka dështuar me gjithçka apo jo”, shprehet Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Gazment Bardhi.