Bardhi i kërkon Ahmetajt të bëhet bashkëpunëtor i drejtësisë: Në dosje edhe deputetë të tjerë

Të hënën në orën 17:00 do të mbahet seanca e posaçme për t’i dhënë autorizimin SPAK për arrestimin e ish-ministrit Arben Ahmetaj. Pas mbledhjes së Këshillit të Mandateve, kreu i grupit parlamentar i PD-së, Gazment Bardhi foli për emra të tjerë të përfshirë në këtë aferë, duke theksuar se kanë vepruar si grup i strukturuar kriminal.

“Disa nga emrat janë bërë publike sikundër disa të emra të tjerë janë të kallëzuar prej nesh. Në këtë aferë përmendet ish-ministri Damian Gjiknuri, ish-ministrja Ermonela Felaj, ka të dhëna për 2 ish-kryetarë bashkie, sot deputetë, Fadil Nasufi dhe Baftjar Zeqo, përmendet sekretari i përgjithshëm i këhsillit të ministrave Engjëll Agaçi. E gjithë kjo organizatë kriminale, dhe një nga çështjet që kemi ngritur është pse po veçohen çështjet nga SPAK, se duket qartë që ka një qëllim që kjo veprimtari të mos trajtohet si grup i strukturuar kriminal. Kanë vepruar si grup i strukturuar kriminal dhe koka e tij është Edi Rama”,-tha Bardhi.

Edhe deputeti i Partisë Demokratike Ervin Salianji pas mbledhjes së Këshillit të Mandatave u shpreh se në dosjen që po heton prokuroria për Arben Ahmetajn ka edhe emra të tjerë të zyrtarëve socialistë. Ndërkohë Bardhi i kërkoi Ahmetajt që të bëhet bashkëpunëtor i drejtësisë, pavarësisht premtimit të marrë edhe nga avokatët për kthimin e tij në Shqipëri dhe deklaroi se nuk do të ketë mëshirë për ata që abuzojnë me detyrën.

SHKARKO APP