Bardhi: Kryeministri po shantazhon SPAK-un

Nuk ka vonuar reagimi nga kryetari i grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ndaj kryeministrit, duke thënë se Rama ka shantazhuar SPAK-un për dosjen Xibraka. Bardhi i kërkoi interpelancë kryeministrit për çështjen “Becchetti”, por Rama reagoi duke thënë se do të shkojë në Parlament për tu përballur në çdo interpelancë me kreun e Grupit të PD, por kur të finalizohet një kusht. Rama thotë se kjo përballje do të realizohet vetëm pasi të ketë dalë vendimi i SPAK për çështjen e vëllait të tij Olsi Rama, të cilin sipas shefit të qeverisë, Bardhi e ka zbuluar si “trafikantin e drogës në familjen” e tij.

Postimi i plotë nga Gazment Bardhi:

Nuk kam reaguar ndaj qëndrimit të Edi Ramës, sepse qartësisht qëndrimi i tij gjoja më drejtohej mua, por në të vërtetë ishte një mesazh i qartë dhe i pastër shantazhi ndaj SPAK që të mbyll hetimet ndaj Olsi Ramës dhe Dosjes “Xibraka”, sepse vijimi i hetimeve dhe zbulimi deri në fund i të vërtetës, i rrezikon Edi Ramës karrigen e Kryeministrit, sepse ai do të detyrohej të largohej nga politika!

Mesazhi i pastër kriminal e shantazhues ndaj SPAK nuk mund të përcillet kurrë duke bërë gjoja replikë publike me mua dhe as nuk mund të fshihet duke u përfshirë unë në një replikë pa sens e jashtë kohe, të sajuar nga hiçi dhe me shkaqe të inskenuara. A nuk ishte po ky Edi Rama që hyri me sy, por doli me faqe të zezë, përpara disa muajve kur ishte në interpelancë për mbetjet toksike me denoncuesin e Olsit, pra me mua, me të njëjtin? Pse atëherë mendonte se kishte edhe sy edhe faqe për të ardhur në interpelancë, ndërsa sot ka humbur sytë dhe faqen?

Asokohe nuk ishte “kusht mbi Kushtetutën” as vëllai Ols dhe as përfundimi i hetimeve ndaj vëllait Ols nga SPAK. Vallë çfarë ndryshoi sot? Pse u kujtua beftë për vëlla Olsin dhe SPAK-un? Pse u kujtua që i rrezikohet pushteti nëse vijojnë hetimet e zbulohet e vërteta që u tentua të varrosej në 2018? Çfarë e pickoi sot Edi Ramën për këtë çështje? Pse ka frikë Edi Rama nga hetimi, dhe kërkon mbylljen e shpejtë të çështjes, përpara se të humbi zgjedhjet e Majit 2025?

E di që Edi Rama nuk e ka për gjë të grisë Kushtetutën dhe Ligjin për pushtetin e tij personal. E di shumë mirë që do të gjejë çdo justifikim për të mos u përballur në Parlament me krimin e vjedhjes që u ka bërë shqiptarëve. E di shumë mirë që edhe mesazhet politike i jep sipas stilit mafioz. E di që po bën çmos të shantazhojë edhe SPAK-un që t’i mbyllë hetimet për Olsin dhe kokainën e Xibrakës. Ajo që s’kisha parashikuar ishte që të fshihej pas të vëllait të vogël për të mos ardhur në Parlament.

Të keqpërdorësh familjen për të mos dhënë llogari para shqiptarëve, do të thotë të jesh në pozicion shumë të sikletshëm. Dhe e kuptoj që fshihet pas Olsit! Sa më shumë zbardhen kodet pin në SKY/ECC, por shumë shpejt edhe këto të rejat në MATRIX, aq më shumë do të fshihet Edi Rama!

Le të fshihet në rrjetet sociale sa të dojë, të bëjë teatër sa të dojë, të inskenojë reagime nga hiçi për të përcjellë mesazhe publike kriminale për SPAK sa të dojë, e sigurojë se, me SPAK apo pa SPAK, largimin nga politika do ta ketë me turp, të shpejtë, dhe ashtu siç e meriton një frikacak që i fshihet Kuvendit, një bashkëpunëtor i bandave që ka torturuar, vjedhur e varfëruar bashkëqytetarët e tij.

SHKARKO APP