Bardhi: Kuvendi noter i qeverisë. Sesioni i ri parlamentar i ngjashëm me 11 vitet e drejtimit nga Rama
Fjalën në sesionin e ri në Kuvend, kreu i grupit të PD, Gazment Bardhi e ka nisur me indinjatë për atë që e cilësoi si mungesë respekti të mazhorancës dhe kryeparlamentares Elisa Spiropali ndaj opozitës.
Bardhi renditi një listë të gjatë të arsyeve që sipas demokratëve e kanë kthyer Kuvendin në noter të aferave korruptive dhe vendimeve klienteliste të qeverisë. Për të edhe ky sesion i ri do të jetë një deja vu e 11 vite të qeverisjes së Edi Ramës, me shumicën që do të refuzojë të debatojë e votojë ligje që shkojnë në favor të qytetarëve.
“Këto 11 vite janë treguesi më i qartë se për pushtetin personal Edi Rama është i gatshëm t’i vërë flakën Shqipërisë. Ka djegur konkurrencën, ekonominë e tregut, ka shkrumbuar vendin e punës, ka shkretuar qeverinë nga të rinjtë duke detyruar të ikin brenda një dekade rreth 1 milion shqiptarë. Nuk ka bërë kjo qeveri dhe ky parlament noter i qeverisë ndonjë punë të mirë që sot t’i thoshim punë të mbarë.
Edhe ky sesion i ri nuk ka për të qenë i ndryshëm nga 11 vitet e qeverisjes së Edi Ramës. Praktika ka treguar se shumica në këtë sallë nuk ka vullnet për të debatuar ligje apo nisma e vendime që shkojnë në të mirë të qytetarëve. Kjo mazhorancë e ka kthyer Kuvendin në noter të vendimeve klienteliste dhe aferave korruptive. Kuvendi është kthyer në organin që dhunon më shumë Kushtetutën. Vetëm në sesionin e kaluar Gjykata Kushtetuese e ka zënë Kuvendin në flagrancë në shkelje të kushtetutës në të paktën 5 raste”, tha Bardhi.