Bardhi me të rinjtë në Elbasan: Rinia, shtyllë kryesore e fushatës dhe e qeverisjes nesër

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, njëherësh edhe drejtuesi politik për Elbasanin, Gazment Bardhi u takua këtë të premte me të rinjtë, ku foli për programin e PD-së, ndërsa i siguroi ata se PD do t’i bëjë pjesë të ushtrimit të përgjegjësive. Ai tha se rinia është më e prekura dhe më e zhgënjyera nga këto 8 vite qeverisje.

“Prej fillimit, porosia që i kam lënë ekipit është se dua çdo ditë të kem takim me të rinjtë. E di mirë se pjesa më e zhgënjyer në këto 8 vite keqqeverisje është rinia. Nëse unë ju pyes sot a doni të jetoni në Shqipëri apo të ikni, jam i sigurt se pjesa dërrmuese do ngrini dorën e do pohoni se doni të largoheni jashtë. Kjo për faktin se këtu nuk shihni asnjë mundësi. Meritokracia dhe zotësia nuk ka rëndësinë që do duhej të kishte në një vend që ka 30 vite që pretendon se është demokraci funksionale. Zhgënjimi juaj është treguesi më i mprehte i matjes së asaj që ka ofruar qeveria në këto 8 vite”, u shpreh Bardhi.

Nga ana tjetër, ai akuzoi kryeministrin Edi Rama se gjatë takimeve elektorale vetëm shan dhe bën propagandë me “gjëra që nuk i takojnë atij” dhe jo një bilanc të 8 viteve qeverisje.

“Pas 8 viteve në qeveri, ai do duhej të ishte para publikut duke dhënë llogari e bërë bilanc, duke thënë kam marrë këtë angazhim e kam bërë këtë gjë. Por del nga mëngjesi deri në darkë në televizion dhe merret vetëm me opozitën. Këtë e bën se nuk ka bilanc. Një kryeministër nuk monitoron nga mengjesi në darkë si po e bën një i moshuar vaksinën, se nuk është kjo puna e tij. Nuk është as kameraman as fotograf. Vaksinimi është proces normal që po ndodh në gjithë botën. Eshte detyrë e qeverisë. Siç është detyrë e qeverisë të rimbursojë ata që kanë lënë kursimet e jetës nga kjo semundje, që nuk po e bën. Detyrë e qeverisë është t’u japë shpresë të rinjve, të krijojë vende pune. Të ulë tarifat e shkollimit, të rrisë pagat e pensionet, siç nuk po e bën”, deklaroi Bardhi.

Ai shtoi se rinia e ka vullnetin dhe dëshirën për të shërbyer, vetëm se u duhet dhënë një shans dhe për këtë, ai kërkoi angazhimin dhe pjesëmarrjen e të gjithëve në zgjedhje.

“Nuk mund të ecë para Shqipëria nëse nuk u jep shpresë të rinjve se ky vend mund të behet. Shihni programin e PD. Dy janë fjalët që përsëriten më shpesh aty. Rinia dhe familja. Ndaj kemi parashikuar që 1 në 3 studentë do të ketë stazh të paguar. Është paradhomë e sigurt drejt një punësimi të mirë. Nuk e shoh rininë që të vini tani në fushatë me mua, e pastaj t’u them mirupafshim. Jam me vullnetin e plotë që këtu në Elbasan t’u japim mundësinë të rinjve për të administruar pushtet e për të marrë në dorë shërbime që u duhen ofruar qytetarëve, përfshirë dhe në institucione shtetërore”.

SHKARKO APP