Bardhi: Para se te pranoja ftesën e Nikollës, më telefonuan disa ambasadorë për uljen në tryezë
Ndërkombëtarët ndikuan në kthimin e normalitetit të parlamentit, pas muajsh tensionesh mes tymit e flakadanëve. Kjo u zbulua nga kreu i grupit parlamentar demokrat, Gazment Bardhi, sipas të cilit para ftesës së kryeparlamentares Lindita Nikolla, ai konfirmoi se kishte marrë telefonata nga partnerët strategjikë ndërkombëtarë për t’u ulur në tryezë.
“Në mënyrë të vijueshme nga faktori ndërkombëtar, të dyjave palëve, iu është bërë thirrje apo nxitur zhvillimin e dialogut politik dhe unë e kam parë këtë reflektim të mazhorancës të lidhur me nxitjen që partnerët strategjikë. U kanë bërë thirrje grupeve parlamentare për rikthimin në normalitet dhe për të patur një dialog politik institucional mes mazhorancës e opozitës në kuvend.
Personalisht kam shprehur gatishmërinë që ditën e parë kur kjo thirrje erdhi nga partnerët, mazhoranca e mori kthesën më vonë, në mars kur u ulëm në tryezën e konferencës së kryetarëve.
Kjo tryezë ka ardhur pas një takimi informal që kryetarët e grupeve kanë bërë me kryetaren e kuvendit, takim që para se të më ftonte kryetarja e kuvendet jam telefonuar nga disa nga partnerët tanë nëse ne i përgjigjeshim pozitivisht thirrjes së kryetares së kuvendit, nëse ndodhte. Dhe kanë marrë përgjigjen prej meje që “po jam i hapur për dialog brenda institucioneve të kuvendit””.