Bardhi: Pas 14 majit, zhvillojmë zgjedhje në PD! Ia kam propozuar dy herë Berishës

Deputeti i PD-së, Gazment Bardhi thotë se pas vendimit të Gjykatës Administrative të Apelit është zgjidhur ngërçi ligjor brenda forcës politike, pavarësisht rekursit në Gjykatën e Lartë nga grupi i Sali Berishës. Po ashtu Bardhi i bën thirrje për daljen me një kandidat të përbashkët për zgjedhjet vendore të 14 majit. Ndërsa pas 14 majit, vazhdon Bardhi, në PD duhet të zhvillohen zgjedhje për të gjitha strukturat e saj.

A do të mbahen zgjedhje pas 14 majit dhe a do lejohet të kandidojë Berisha dhe Basha?

Gazment Bardhi: Patjetër. Sëpari, se kush do kandidojë, është një vendimarrje që nuk e vendos unë por e vendosin strukturat e partisë në momentin kur përcaktojnë kriteret e kandidimit. Opinioni publik do njihet në momentin e duhur.

Padyshim që pas zgjedhjeve lokale, sigurisht mund të kishte ndodhur dhe gjatë kësaj periudhe, por me përgjegjshmëri Kryesia ka vendosur të mos e copëzojë partinë në mënyrë përfundimtare por të ketë mundësinë që të organizojë një proces të përbashkët.

Këtë ofertë ia kemi bërë Berishës dy herë më parë, përpara se të dilte vendimi i shkallës së parë, edhe pasi doli vendimi i shkallës së parë. I kemi shtrirë dorën për të ndërtuar një proces të përbashkët riorganizimi partie që shkonte nga baza deri në majën e partisë, që është kryetari. S’është pranuar. Tani që është krijuar ngërçi ligjor, padyshim që duhet të shkohet në një proces zgjedhor nga baza deri tek kryetari.

Duket se beteja ligjore do vazhdojë. Grupimi i Berishës ka paralajmëruar ndjekjen e çështjes deri në Gjykatën e Lartë por edhe në gjykatën e Strasburgut. A rrezikon kjo situatë që të thyejë besimin e anëtarësisë?

Gazment Bardhi: Cilido që nuk bie dakord me një vendim gjykate, është i lirë të ndjekë rrugën institucionale. E rëndësishme është që të pranojë vendimet e gjykatës. Më pas është në lirinë e tij për të ndjekur çdo rrugë. Ajo që unë gjykoj është që kjo çështje është e zgjidhur. Duhej të ishte zgjidhur që në shkallën e parë nëse do ishte respektuar ligji. Për fat të keq, nuk u respektua ligji.

U ndoq apelimi, tashmë unë e konsideroj të mbyllur ngërçin ligjor brenda PD-së. Berisha dhe kushdo është i lirë të ndjekë rrugën ligjore që ai e çmon për mbrojtjen e interesit të tij politik. Do doja shumë që të kishim pjekurinë për ta zgjidhur mes vetes këtë problematikë. Por kur nuk gjejmë gjuhën e përbashkët për zgjedhjet lokale, imagjino sa e vështirë do ishte gjetja e një zgjidhje politike brenda vetes. /Panorama/

SHKARKO APP