Bardhi: PD nuk ka shpërndarë asnjë formular për Kuvendin

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi ka mohuar që të jetë shpërndarë një formular për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar të PD-së më datë 18 dhjetor. Ai thekson se është ngritur një grup pune për organizimin e Kuvendit Kombëtar të 18 dhjetorit dhe ka ngarkuar secilën degë të partisë për të kryer njoftimet e anëtarëve të Kuvendit siç është bërë në çdo Kuvend të Partisë Demokratike.

Zoti Bardhi, një ditë më parë Partia Demokratike ka nisur plotësimin e disa formularëve për delegatët e Kuvendit Kombëtar. Ka qenë një vendim i kryesisë së Partisë Demokratike, pse ishte e nevojshme që delegatët e Kuvendit Kombëtar të plotësojnë këtë formular?

Në zbatim të vendimit të kryesisë, Sekretari i Përgjithshëm ka ngritur një grup pune për organizimin e Kuvendit Kombëtar të 18 dhjetorit, ora 11 në Pallatin e Kongreseve dhe ka ngarkuar secilën degë të partisë për të kryer njoftimet e anëtarëve të Kuvendit siç është bërë në çdo Kuvend të Partisë Demokratike.

Secila degë zgjedh formën e vet të mënyrës së njoftimit, nëse do ta bëjë atë me telefon, me SMS, me shkrim, me takim dhe mbajtje të procesverbalit për takimin ballë për ballë. Pra, është një mënyrë që secila degë e zgjedh vet për njoftimin e anëtarëve të Kuvendit. Nuk ka një formular të shpërndarë po themi zyrtarisht apo të miratuar nga Partia Demokratike, apo nga Sekretari i Përgjithshëm.

Sigurisht që ka dhe do të ketë gjithmonë forma të njoftimit që ndjek secila degë në mënyrën dhe formën e vet. E kam parë këtë që ju thoni në media, ose në rrjetet sociale. Dua të konfirmojë që secili prej anëtarëve të Kuvendit Kombëtar ka të drejtën sipas statutit dhe rregullave të mbledhjes së Kuvendit, që të marrë me shkrim materialet e mbledhjes së Kuvendit Kombëtar.

Ajo është një procedurë normale njoftimi që degët e Partisë Demokratike në gjithë Shqipërinë janë duke ndjekur dhe kanë përgjegjësi statutore për ta ndjekur.

SHKARKO APP