Bardhi pritet në Bundestag: Shqipëria të ndjekë standardet e Gjermanisë për Integrimin në BE, dhe jo ato serbe
Kreu i grupit parlamentar të PD, dhe nënkryetar i Rithemelimit, Gazment Bardhi së bashku me Agron Gjekmarkaj janë pritur në Bundestagun gjerman. Bardhi tregon në Facebook për takimet që ka pasur, por ka edhe një këshillë për qeverinë e Edi Ramës. ”Shqipëria, kandidate për anëtare në Bashkimin Europian, duhet të ndjekë standardet e Gjermanisë, dhe jo standardet e Serbisë apo Gjeorgjisë”.
Postimi i plotë
Sot gjatë vizitës në Bundestag kishim mundësi të shkëmbenim pikëpamjet tona për procesin e integrimit europian në një seancë dëgjimore në Komisionin për Çështje Europiane dhe më pas me Kyetarin e këtij Komisioni z. Anton Hofreiter.
Sëbashku me Nënkryetarin e PD-së, njëkohësisht Nënkryetar i Kuvendit të Shqipërisë, z. Agron Gjekmarkaj, ritheksuam se procesi i integrimi europian duhet të jetë i vërtetë, të shoqërohet me përafrimin me standardet europiane, tek institucione që japin llogari dhe që respektojnë parimin e ndarjes e balancimit mes pushteteve. Nga ky proces shqiptarët duhet të përfitojnë një qeverisje të përkushtuar në shërbim të tyre, të dalë nga zgjedhje të lira dhe të ndershme, si dhe më shumë mirëqenie dhe siguri.
Shteti ligjor, gjyqësori i pavarur, standardet për zgjedhje të lira e të ndershme, lufta ndaj korrupsionit, situata politike në vend dhe opozita funksionale, ishin disa nga çështjet për të cilat diskutuam në seancën dëgjimore në Komision. Shqipëria, kandidate për anëtare në Bashkimin Europian, duhet të ndjekë standardet e Gjermanisë, dhe jo standardet e Serbisë apo Gjeorgjisë.
Gjermania, ka qenë dhe mbetet, një partner kyç në rrugën europiane të Shqipërisë. Ndihma e vyer e partnerëve tanë gjerman, na bën besimplotë se shqiptarët nuk janë vetëm në përpjekjen e tyre për antarësimin e plotë të Shqipërisë në Bashkimin Europian.