Bardhi: Rama e Gjiknuri të shqetësuar nga propozimet e Bashës, pasi kanë ndërtuar shtetin privat, që mbështet “çunat problematikë”
Pas deklaratës së Bashkëkryetari socialist i Komisionit të Reformës Zgjedhore, Damian Gjiknuri i cili rrëzoi propozimet e kryedemokratit Lulzim Basha për reformim radikal të sistemit zgjedhor në Shqipëri, do të vinte një tjetër reagim nga selia blu.
Ishte Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi i cili përmes rrjeteve sociale thekson se se Rama e Gjiknuri janë të shqetësuar nga beteja e opozitës për forcimin e demokracisë në vend. Kjo pasi sipas Bardhit, Edi Rama dhe Damian Gjiknuri kanë ndërtuar shtetin privat, që dhunon qytetarët dhe pasuron e mbështet “çunat problematikë”.
Reagimi i Gazment Bardhit
Edi Rama dhe Damian Gjiknuri kanë të drejtë që shqetësohen pse Lulzim Basha dhe opozita luftojnë për forcimin e demokracisë në vend, sundimin e ligjit dhe zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Ata janë krejt e kundërta e kësaj. Ata kanë ndërtuar shtetin privat, që dhunon qytetarët dhe pasuron e mbështet “çunat problematikë”.
Vizioni dhe alternativa jonë është për shqiptarët dhe jo për Edi Ramën, Damian Gjiknurin dhe, aq më pak, për “çunat e tyre problematikë”! Për këta kemi një tjetër alternativë: Zotimin se kushdo do të mbajë përgjegjësi për çdo krim shtetëror apo elektoral që kanë kryer në të shkuarën.
Edi Rama, Damian Gjiknuri dhe Rilindja, janë të VETMIT që nuk duan Reformë të vërtetë Zgjedhore. Ato janë të qartë se me zgjedhje të lira dhe të ndershme, të pandikuara nga “çunat problematikë” apo paratë e krimit dhe korrupsionit, sot do të ishin prapa hekurave dhe jo në qeverisje apo tryeza.
Ne do ta shembim modelin e shtetit privat të Edi Ramës dhe do të ndërtojmë një sistem që punon për njerëzit dhe i jep pushtet njerëzve.
Partia Demokratike dhe Opozita e Bashkuar ka qenë dhe do të jetë në mbështetje të përmbylljes së Reformës Zgjedhore në afatin e përcaktuar. Për këtë kemi bërë propozime konkrete dhe do të vazhdojmë të bëjmë propozime konkrete, që garantojnë standardet për zgjedhje të lira e të ndershme, përfshirë edhe në takimin e radhës së ditës së hënë.