Bardhi: Refuzimi brutal i Ramës i apelit të BE-së, dëshmi që për PS-në është interesi i mafias
Pas refuzimit të mesazheve të Bashkimit Europian, ku zyrtarët më të lartë të tij i kërkojnë Edi Ramës që të mos ndërmarrë asnjë veprim përmes Kuvendit dhe të presë opinionin e ekspertëve të Komisionit të Venecias lidhur me ndryshimet e njëanshme të Kodit Zgjedhor, reagon edhe Partia Demokratike.
Sekretarit i Përgjithshëm Gazment Bardhi, në emër të PD-së i kërkon Edi Ramës që të thotë arsyet se pse ai ka frikë nga ekspertiza e Komisionit të Venecias që kërkon t’i miratojë sa më shpejt në Kuvend ndryshimet e Kodit.
“Edi Rama duhet të shpjegojë pse ka frikë nga ekspertiza e Komisionit të Venecias dhe pse i trembet zgjedhjeve demokratike sipas standarteve europiane.
Shqiptarët nuk i kanë borxh Edi Ramës pengmarrjen e Shqipërisë.
Refuzimi brutal i Edi Ramës ndaj apelit të Komisionerit për Zgjerimin në BE z. Oliver Varhelyi është një tjetër dëshmi që për Partinë Socialiste interesi i mafias është mbi interesin e Shqipërisë. Asnjë Kryeministër më parë nuk ka vënë në rrezik integrimin europian të Shqipërisë dhe nuk ka sfiduar hapur Bashkimin Europian për llogaritë e tij politike të ditës”, shprehet Gazment Bardhi.