Bardhi: SPAK-u, shtojcë e Qeverisë, po mbron zyrtarët e korruptuar dhe bandat kriminale

Partia Demokratike deklaron se lufta ndaj krimit të organizuar është prioritet madhor kombëtar për integrimin evropian dhe si e tillë, thotë PD-ja, ajo nuk bëhet as me propagandë dhe as me regji të orkestruar nga nevoja e Edi Ramës për të mbuluar dështimin.

Në një reagim përmes rrjeteve sociale, Sekretarit i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi deklaron se nisur nga ngjarjet e fundit, rezulton se SPAK-u që u krijua me fokus të veçantë luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, është faktuar si shtojcë e qeverisë për të mbrojtur zyrtarët e korruptuar dhe bandat kriminale.

Reagimi i plotë Sekretarit të Përgjithshëm të PD, Gazment Bardhi

Lufta ndaj krimit të organizuar është prioritet madhor kombëtar për integrimin europian. Ajo nuk bëhet as me propagandë dhe as me regji të orkestruar nga nevoja e Edi Ramës për të mbuluar dështimin. Lufta ndaj krimit të organizuar kërkon vullnet politik dhe institucione të përgjegjshme.

SPAK u krijua me fokus të veçantë luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, por rastet konkrete, po e faktojnë si një shtojcë të Qeverisë në mbrojtjen e zyrtarëve të korruptuar dhe bandave kriminale.

Pas refuzimit për të hetuar dosjen e zgjedhjeve në Dibër, refuzimi për të çuar para drejtësisë organizatën mafioze me lidhje shtetërore të Bajrave në Shkodër, është një tjetër provë e dështimit të SPAK.

Çdo qytetar shkodran, por edhe partnerët ndërkombëtarë, e dinë se Bajrat janë një organizatë mafioze, përgjegjëse për disa krime të rënda të kryera brenda dhe jashtë vendit.

Nëse SPAK nuk heton Bajrat dhe organizatat të tilla kriminale, nuk heton vjedhjen e votave, nuk heton korrupsionin në rritje të Qeverisë, atëherë ekzistenca e këtij institucioni bëhet e panevojshme!

SHKARKO APP