Bardhi: Vendimi një shpallje luf@e ndaj opozitës. Të dalin Tahiri, Dako dhe të shkojë Salianji në burg
Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi tha se dënimi i Ervin Salianjit me 1 vit burg është vendim politik dhe një mesazh nga Edi Rama për këdo që denoncon korrupsionin dhe krimin në Shqipëri.
“Nuk shkon në burg Ervin Salianji. Vendimi i sotëm është kundër çdo qytetari që ka vendosur të jetojë në këtë vend dhe të denoncojë korrupsionin dhe lidhjet me krimin e organizuar të Edi Ramës. Salianji ka thënë që Geron Xhafaj, vëllai i ministrit Fatmir Xhafaj, është trafikant droge. Prandaj po shkon në burg. Ku është kallëzimi i rremë këtu?”, tha Bardhi në një deklaratë për mediat para godinës së selisë së PD.
”Kush e dha sot vendimin? Një gjyqtar i cili ka qenë përfaqësues politik në KQZ për socialistët, një njeri që ka marrë premtimin nga Fatmir Xhafaj, që do të shkojë në Gjykatën e Lartë. Ky vendim është shpallje lufte ndaj grupit parlamentar të Partisë Demokratike. Vendimi është politik. Të dalë jashtë burgut Saimir Tahiri dhe të shkojë një deputet i opozitës që ka guximin të bëjë denoncime? Të dalë nga burgu Vangjush Dako dhe të shkojë një deputet i opozitës që ka guximin të bëjë denoncime?”,-tha më tej.