Bare: Opozita të mbështesë sukseset e padiskutueshme të policisë
Deputeti i Partisë Socialiste, Besnik Bare ka dalë sot para mediave për tju përgjigjur akuzave dhe deklaratave të deputetit të PD-së Luçiano Boçi mbi laboratorin e kokainës të zbuluar së fundmi në Elbasan. Bare i ka bërë apel PD-së të jetë më realiste dhe mbështetëse për sukseset e padiskutueshme të policisë.
“Dëshiroj t’i bëj sot një apel Partisë Demokratike. Një apel për të qenë më realiste dhe mbështetës, të paktën në ato raste kur Policia e Shtetit arrin suksese të padiskutueshme në luftën kundër krimit dhe trafikut. Është normale që opozita të kritikoje qeverinë, por opozita bëhet e pabesueshme kur e sulmon policinë pse ndërhyri në Lazarat, apo pse i dha fund një operacioni të fshehtë prodhimi dhe trafikimi lëndësh narkotike”, u shpreh Bare.
Pyetjeve të ngritura nga PD, Bare i është përgjigjur me një tjetër pyetje: “Pyetja nuk është pse policia arriti me sukses të arrestonte dhe sekuestronte një laborator sekret droge. Pyetja është pse gjatë gjithë viteve të qeverisjes së PD një laborator i hapur, në natyrë, drogë, që nuk ishte mister për askënd, u la në liri të plotë?”.
Në përfundim deputeti i PS-së tha se lufta ndaj drogës dhe krimit nuk duhet të ketë ngjyrime politike. “Ndaj, përveç debateve politike të cilat edhe pse të tepruara janë deri diku normale, të paktën në suksesin e policisë le të jemi të bashkuar pasi lufta ndaj drogës dhe krimit nuk duhet të ketë ngjyrime politike”, tha ai.