Bare: PD Jo më provokime, të përmbyturit kanë nevojë për të majtë e të djathtë

Partia Socialiste i ka bërë thirrje PD-së, pas incidentit të djeshëm në Fier ndërmjet disa aktivistëve të saj dhe ministrit Veliaj, “të distancohet nga veprime të tilla dhe edhe në kushtet kur ka banorë natyrshëm të stresuar nga përmbytja, t’i ndihmojë dhe jo t’i acarojë më keq me provokime, me shpifje e me turpe si ai i djeshmi.”

Deputeti Besnik Baraj nga selia rozë i bëri thirrje edhe “personalisht Lulëzim Bashës, që të mos na e kujtojë orë e çast dhe për çdo gjë famëkeqin Sali Berisha.”

Sipas Bares, dje, aktivistët e PD-së në Fier, hipur mbi makina të shtrenjta dhe pa asnjë lidhje me zonën e përmbytur të Fierit, kanë inskenuar një bllokim të turpshëm për të realizuar me celularët tyre filmime që nxisin përçarje dhe urrejtje.

Por, theksoi ai, “sot është koha për të qenë solidarë me vepra e jo me deklarata hileqare në mbështetje të të gjithë atyre që kanë nevojë për bashkim njerëzor jo për përçarje politike. Është e pafalshme që forca kryesore opozitare, pasi për dite me radhe u lut haptazi që të ndodhte më e keqja dhe bëri çmos të përdorte politikisht banorët e përmbytur, tani i bëhet pengesë fizike strukturave të solidaritetit në ndihmë të të përmbyturve.

Vërshimi i ujit nuk pyet për të majtë e për të djathtë, sikundërse ata që janë sot në nevojë janë në radhë të parë shqiptarë, njerëz në hall që kanë nevojë për miq majtas e djathtas dhe për ndihmë reale ngado që ajo mund të vijë.

Është detyrimi i ynë të ndihmojmë çdo shqiptar, pavarësisht bindjeve politike. Ndaj i bëjmë thirrje Partisë Demokratike të distancohet nga veprime të tilla dhe, edhe në kushtet kur ka banorë natyrshëm të stresuar nga përmbytja, t’i ndihmojë dhe jo t’i acarojë më keq me provokime, me shpifje e me turpe si ai i djeshmi.

I bëj thirrje personalisht Lulëzim Bashës që të mos na e kujtojë orë e çast dhe për çdo gjë famëkeqin Sali Berisha,” theksoi deputeti socialist.

SHKARKO APP