Basha akuza për Ramën: Jemi shtet i kapur nga korrupsioni. Mund të hapësh negociatat me Unionin Afrikan, në Bruksel jo
Në seancën e kësaj të hëne në Kuvend, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha tha se shteti shqiptar nën Edi Ramën nuk është thjesht i korruptuar, por një shtet i kapur nga korrupsioni. Edhe pse kundërshtari i tij politik, kryeministri Edi Rama nuk ishte në sallë, kjo nuk e pengoi Bashën që duke ju referuar përkeqësimit të treguesve ti bëjë me dije se me këtë gjendje vendin do ta integrojë në Unionin Afrikan dhe jo në BE. Teksa iu referua një raporti nga “World Justice Project”, një institut kërkimor ndërkombëtar me qendër në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Basha publikoi edhe Indeksin e Sundimit të Ligjit, 2020-2021, në të cilin Shqipëria renditej e fundit në Europë.
“E 83-ta nga 139 shtete, është renditur vendi ynë, mes Algjerisë dhe Surinamit, një shtet për të cilin disa prej njerëzve në këtë sallë duhet të klikojnë në google për ta gjetur. Ndërsa unë e mbaj mend nga vitet e studimit në Holandë si vendi me një president në kërkim ndërkombëtar të akuzuar për korrupsion, trafik droge dhe vrasje politike”, tha Basha. Duke iu referuar raportit në fjalë, Basha tha se këtu është katandisur Shqipëria 8 vite pas sundimit të këtij kryeministri, në një vend ku korrupsioni dhe mungesa e sundimit të ligjit nuk përbën më lajm.
“Në një vend ku mendjelehtësi marramendëse trajtohen me oreks të panginjshëm çdo lloj teme, mjaft që të eklipsojnë debatin mbi ato që realisht prekin jetën e njerëzve. Ky raport konfirmon atë që të tjera organizata ndërkombëtare kanë raportuar vitet e fundit për Shqipërinë. Pikërisht atë që Partia Demokratike ka denoncuar me forcë. Dhe mbi të gjitha atë që qytetarët dhe sipërmarrësit e ndershëm të këtij vendi, përjetojnë cdo ditë, kur përballen me padrejtësinë, abuzivizmin dhe mungesën e llogaridhënies: Shteti shqiptar nën Edi Ramën nuk është thjesht i korruptuar por një shtet i kapur nga korrupsioni. Këtë nuk e them unë, por raporti i Transparency International”.
Sipas tij, kur vjen fjala te korrupsioni, një nga faktorët e matur nga “World Justice Project”, Shqipëria e drejtuar nga socialistët mban vendin e 105-të në botë, pra jo vetëm korrupsionin më të lartë në Europë dhe rajon, por jemi renditur pas Beninit, Egjiptit, që mbajnë vendin e 103-të dhe të 104 dhe ndiqemi nga Zambia dhe Mozambiku, të 106-tët dhe 107-tët.