Basha bën ”kurban” ekipin për 25 prillin
Nga: Redjon Shtylla
Edhe pse është verë dhe njerëzit po shijojnë plazhin, disa kalkulime duhen bërë dhe në fokus janë zgjedhjet e fundit parlamentare. Në 2017, PD-ja mori 43 mandate deputetësh dhe në zgjedhjet e fundit të 25 prillit, mori 59. Për 4 vite në opozitë dhe për 2 vite jashtë Kuvendit, PD-ja mori 16 mandate më shumë se në 2017. Paçka se pretendonte fitoren, 16 mandate më shumë nuk janë pak. Nëse flasim me shifra, në 2017 mori mbi 456 mijë vota, kurse më 25 prill mori mbi 622 mijë vota.
Të enjten u mbajt mbledhja e parë për analizën e 25 prillit, ku sekretariati paraqiti 13 konkluzione pse PD do të qëndrojë për një mandat të tretë në opozitë. Ajo që ishte e çuditshme në këtë analizë që është dorëzuar nga sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi, është fakti se PD-ja është e pakënaqur me rezultatin që 7 drejtues politik për zgjedhjet morën më 25 prill.
Në Tiranë, drejtuesit u ndanë në degë, Aldo Bumçi drejtoi degët 1, 12 dhe 14; Jorida Tabaku u caktua tek 2, 3 dhe 10; Alfred Rushaj u caktua në krye të degëve 4 dhe 8. Grida Duma u delegua në Kavajë dhe Rrogozhinë. Në Durrës, drejtuesi politik u caktua Edi Paloka, në Gjirokastër Tritan Shehu, ndërsa në Shkodër shkoi Helidon Bushati. Mesa duket asnjëri prej tyre nuk e bëri siç duhet detyrën, edhe pse janë pjesë e stafit të ngushtë të Bashës.
Në 2017 PD-ja në Durrës mori 4 mandate, kurse më 25 prill nën drejtimin e qarkut nga Edi Paloka u morën 6 mandate. Kurse në Korçë, nga 4 mandate, Edmond Spaho siguroi 5 mandate në një qark që është nuk blu. Në Tiranë që ishin disa drejtues, nga 11 mandate, u siguruan 15 mandate. Shkodra që është bastion i djathtë, nga 5 mandate, po 5 janë edhe këtë vit. Edhe në Gjirokastër është ruajtur veç 1 mandat. Ky raport është kundërshtuar ashpër nga drejtuesit, të cilët punuan që PD-ja të fitonte.
Deputeti i qarkut të Korçës, Edmond Spahu është shprehur i pakënaqur me analizën e bërë për zgjedhjet që lamë pas. ”Analiza për Korçën nuk është objektive, morëm 5 mandate, ju thoni s’u arrit maksimumi”,-tha Spaho. Edhe për nënkryetarin Paloka nuk mund të jetë ky dokumenti i analizës. Sipas tij dokumenti duhet të rishikohet se nuk pasqyron atë që kanë shkruar drejtuesit e qarqeve. “Duhet ta ndryshojmë, nuk mund te jetë ky dokumenti i analizës. Dokumenti duhet të rishikohet, nuk pasqyron atë që kanë shkruar drejtuesit e qarqeve në raportet e tyre”.
Dy nënkryetarët dhe të tjetër, janë figurat që ”mbajnë” PD në aksion, si në terren dhe në media, por mesa duket Basha po kopjon Ramën, dhe po i bën ”kurban” për të hequr përgjegjësinë e humbjes së radhës në zgjedhje. Nëse në këtë analizë këta drejtues që janë edhe krahu i djathtë i Bashës nënvizohen si dështues në zgjedhje, atëherë PD-ja është në ajër.
A duhet të kërkojë Basha llogari tek aleatët? Moderatorja Ori Nebijaj mori 5606 vota dhe Vangjel Dule 848, por mandatin e mori ky i fundit. Drejtuesit kanë përgjegjësitë e tyre, por ata nuk punojnë vetëm. A po bën të njëjtën gjë siç bëri me Topallin, Patozin, Bregun dhe të tjerë me këtë analizë Basha? Situata pritet të shpërthejë në selinë blu.
Propozimet e reja të Lulzim Bashës, sipas politologëve, thjesht krijojnë hapësira që ai të shtrëngojë radhët në institucionet partiake me mbështetës të tij. Fushata u dominua tërësisht nga figura e Bashës, ndërkohë që në raport situata ishe copëzuar, dhe vetëm figura e kryetarit nuk dilte.