Basha: Berisha donte gjak në selinë e PD-së, donte vëllavrasje
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha thotë se ish-kryeministri Sali Berisha më 8 janar donte të derdhej gjak në selinë blu. I ftuar në emisionin “Pikat mbi I”, po ashtu Basha u kërkoi falje demokratëve për atë që ndodhi, duke shtuar se e gjitha ishte orkestruar nga ish-kryeministri Sali Berisha.
”Mesazhi i parë që kam ndaj demokratëve është që është koha të jemi afër njëri-tjetrit, të themi të vërtetat siç janë bazuar në fakte. Gënjeshtra i ka këmbët e shkurtra. Berisha s’kishte ardhur thjesht me qëllimin për të shkaktuar vëllavrasje. Berisha donte gjakdershje mes demokratëve në 8 janar.
Kjo tentativë ndryshoi edhe ndaj qëndrimit që mbajtën demokratët. I falënderoj për braktisjen reale që i bënë Berishës për të mbuluar skandalin e madh për t’u mbrojtur nga non grata amerikane. I falenderoj ata që u thërritën si fasadë dhe panë që kriminelët nisën dhunën, u distancuan.
I kërkoj ndjesë të gjithë shqiptarëve, uroj që ato pamje të mos mbesin gjatë në kujtesë. Ajo s’është PD, është dhuna e një njeriu që është në dëshpërim, e që këtë ankth do t’ia faturojë shqiptarëve. Është kohët të rimëkëmbemi nga rrënojat e 8 janarit. Një PD ashtu siç e duan shumica e shqiptarëve, një parti normale, të hapur ndaj shoqërisë dhe halleve të qytetarëve”.