Basha: Berisha e ka kthyer PD si mburojë kundër SPAK, nuk përbën shpresë për shqiptarët
Lulzim Basha thotë se Sali Berisha e ka dashur Partinë Demokratike për ta përdorur si mburojë kundër SPAK dhe kjo u pa në protestën e thirrur para disa javësh kur iu komunikua akuza. Sipas tij, Berisha jo vetëm që nuk përbën shpresë, por nuk arrin dot as të ngrihet në këmbë për të bërë minimumin e detyrës për të cilën u thirr një protestë për të mbrojtur të parin e saj.
”Është e qartë besoj që javën e kaluar për çdo demokrat, edhe për ata që në mënyrë më fanatike shkuan pas zotit Berisha, që ajo që kam paralajmëruar para 3 vitesh doli e vërtetë. Zoti Berisha Partinë Demokratike e ka dashur për ta përdorur si mburojë kundër SPAK, si mburojë kundër përcaktimeve të tij si non grata nga SHBA dhe Britania e Madhe. Dhe kjo u duk qartë në thirrjen e protestës para SPAK ditën kur iu komunikua akuza. Siç duket qartë që ajo pjesë e PD që zoti Berisha pretendon të përfaqësojë, tashmë është e shkalafitur, e shkatërruar”, tha Basha.
Po ashtu Basha shton edhe se grupimi që ai drejton do të kandidojë në zgjedhjet e ardhshme me listë të plotë prej 140 kandidatësh dhe se vetë ai do të jetë pjesë e listës së hapur. “Jemi në fazën e përfundimit e listës tonë të kandidatëve për deputetë. Besoj që brenda ditëve të ardhshme, javëve të ardhshme, një emër jo i vogël kandidatësh do të bëhen publikë. Disa prej tyre kanë nisur tashmë dhe punën në terren. Natyrisht, ky është një proces që po ndodh në bashkëpunim edhe me partitë e Harkut Opozitar Euroatlantik, sepse do të jetë një listë e konsoliduar”, tha Basha për “Top News”.