Basha: Biznesi po shkon drejt rrënimit. Qeveria duhet të konkretizojë një plan mbështetjeje për ta
Kreu i Partisë Demokratike ka sjellë një tjetër rast nga biznesi i vogël për të treguar se ata po vuajnë pasojat e rënda të krizës ekonomike.
Sipas Bashës, ndërsa qeveria i ka lënë pa asnjë ndihmë, biznesi vazhdon të paguajë taksa të cilat nuk i kthehen në shërbime.
“Quhem Ardian Boja. Kam një biznes të vogël. Artizanat quhet biznesi jonë, person fizik dhe kemi 20 vjet që shfrytëzojmë këtë aktivitet. Aktiviteti im përfshihet nga 12 taksa dhe tarifa. Kemi 8 vite që derdhim kontribute dhe paguajmë taksat të gjitha. Përkrah kësaj, qeveria ne nuk na ka ndihmuar fare. Duke filluar nga infrastruktura rrugore, që te ndriçimi rrugor që ne taksat i paguajmë vazhdimisht.
Dhe pjesa tjetër me e rëndësishme është koha e pandemisë. Pjesa e pandemisë, neve na la pa punë. Përfitimet nuk i kemi marrë, përveçse unë si person, stafi nuk i mori, nuk u përfshi nga ato. Ne kemi 12 taksa dhe tarifa, duke përfshirë 5%, duke përfshirë dhe një 15% që ne na faturohet te materiali. Ne paguajmë 3 herë TVSH-në e materialit, një herë te distributori i madh, e dyta që furnizohem unë dhe e treta kur ia çojmë klientit.
Tarifa e energjisë është shumë, shumë e lartë. Është 30% më shtrenjtë seç ka qenë. Ka 7 vite e gjysëm, 8 që është rritur energjia elektrike 25-30%. Ne nuk marrim asnjë farë rimbursimi asgjë. Ne mbijetojmë domethënë nuk… këto kohët e fundit ne vetëm mbijetojmë. Nuk po bëjmë më asnjë lloj aktiviteti të rregullt. Marrim kredi për të paguar taksat”, sipërmarrësi i një biznesi artizan.
Basha nënvizon se biznesi po shkon drejt rrënimit ndaj një orë e më parë qeveria duhet të konkretizojë një plan mbështetjeje për ta.