Basha: Çmimet në Shqipëri u rritën me 6 % gjatë pandemisë

Kreu i PD, Lulzim Basha deklaroi përmes një statusi në Facebook se gjatë pandemisë në Shqipëri çmimet u rritën më shumë se në asnjë vend tjetër, referuar të dhënave të Eurostat.

Basha shtoi po ashtu, se Shqipëria është vendi që u jep qytetarëve më pak ndihmë ekonomike.

“Shqipëria u rendit e katërta në Europë për Rritjen e Përgjithshme të Çmimeve këtë tetor, sipas metodologjisë së EUROSTAT. Çmimet e ushqimeve u rritën me 6.6%.

Çmimet e transportit u rritën me 3.4%. Për 7 vite, Rama e ka rrënuar ekonominë. Tani, gjatë pandemisë, Shqipëria është vendi që u jep qytetarëve më pak ndihmë ekonomike. Qytetarët shqiptarë kanë nevojë për një qeveri që punon për ta. Një qeveri që nuk është e zënë me politikë, por me kthimin e të papunëve në punë, ringjalljen e ekonomisë tonë dhe uljen e kostos së jetesës. Një qeveri që do të sjellë shpresë të re për Shqipërinë”,- shkruan Basha në një reagim në Facebook.

SHKARKO APP