Basha: Dekriminalizimi, proces urgjent. Rama-Meta, s’mund të fshihen me gjethe fiku

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha reagoi në lidhje me raporti vjetor të Departamentit Amerikan të Shtetit, të cilin e etiketoi si fotografinë e vërtetë e përmasave tronditëse, e përmasave në rritje dhe larmisë  së shtuar të krimeve në Shqipëri.

"Shqipëria është rasti unikal kur trafikantët e qenieve njerëzore, tutorë të vajzave shqiptare të shndërruara në skllave të prostitucionit, emërohen deputetë, kryetarë bashkish, drejtorë dhe shefa të rëndësishëm në poste kyçe nga kryeministri Edi Rama dhe ortaku i tij, Ilir Meta.

Kjo është arsyeja kryesore që trafiku dhe shfrytëzimi për qëllime seksuale i qënieve njerëzore, i grave dhe vajzave, dhe i fëmijëve ka njohur një përhapje kaq të gjerë në këtë periudhë.

Sepse krimi është veshur me pushtet dhe pushteti është veshur me krim.

Të gjitha të ashtuquajturat masa të imponuara nga standardet dhe faktori ndërkombëtar kanë rezultuar sterile dhe demagogjike përsa kohë trafikantët kanë status të privilegjuar në qeverinë Rama-Meta.

Raporti i DASH është berë publik. Ai tregon qartë  gjendjen e rëndë dhe shkaqet  e saj, po citoj një paragraf; “Korrupsioni dhe ndryshimet e shpeshta në drejtimin e policisë vështirësojnë luftën kundër trafikut. Bashkëpunimi dhe përfshirja e zyrtarëve të lartë me krimet që lidhen me trafikun vazhdon të mbetet shqetësuese, ndërkohë që një deputet i Parlamentit shqiptar ka qenë i dënuar më parë për akuza të tilla”, nënvizon raporti që mbulon vitin e kaluar", theksoi Basha.

Në vijim ai vuri theksin në procesin e dekriminalizimit, për të cilin tha se opozita është e vendosur të bëjë gjithçka dhe do bëjmë gjithçka.

"Në emër të Partisë Demokratike, opozitës shqiptare dhe mbarë qytetarëve shqiptarëve që ndajnë me ne këto shqetësime, dua të falenderoj Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Departamentin e Shtetit në veçanti për vëmendjen e jashtëzakonshme dhe ndihmën e madhe që vazhdojnë ti japin Shqipërisë në sfidat e saj të reja të ndarjes dhe çlirimit nga sundimi i krimit, për raportin realist dhe konstruktiv që u publikua dje.

Raporti i DASH është provë e fuqishme e kësaj mbështetje. Ai pason dhe sintetizon në një kulm të ri qëndrimet e mëparshme të DASH, të ambasadorit të SHBA në Tiranë, zotit Donald Lu për pastrimin e institucioneve nga personat me rekorde kriminale, për moskandidimin e tyre në zgjedhjet vendore  pasi kandidimi i tyre përbën një poshtërim për popullin shqiptar.

Nuk ka dyshim se raporti do të shërbejë për ti dhënë një impuls të ri betejës tonë kombëtare për dekriminalizimin.

Edi Rama që e ka krijuar  problemin nuk mund të fshihet pafund prapa gjethes së fikut. Tashmë bota mbarë e ka të konfirmuar të vërtetën tronditëse të gradimit të trafikantëve me pushtet, deri si ligjvënës e kryetarë bashkish, nga Rama dhe ortaku i tij. Raporti i DASH është nga kjo pikëpamje një burim referencial për çdo qeveri dhe institucion euroatlantik e më gjerë", tha kreu demokrat.

 

 

SHKARKO APP