Basha: Dje kishim rekord viktimash nga Covid-19, numri i vërtetë u fsheh nga Rama
Kreu i PD-së, Lulzim Basha ka përsëritur akuzat ndaj qeverisë ”Rama 2”, për fshehjen e viktimave nga pandemia e Covid-19. Në vijim të turit të takimeve me përfaqësues dhe grupe interesi të prekur drejtpërdrejt nga pandemia e Covid-19, kreu demokrat është ndalur sot në Shkodër, ku ka zhvilluar një takim me biznesin e vogël dhe në krah të tij ishte dhe kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi.
Kreu i PD-së përmendi faktin që dje vendi ka pasur rekord viktimash, duke shtuar se numri real ka qënë shumë herë më i madh. ”Dje kemi pasur rekord viktimash. Numri i vërtetë që fshihet nga Rama është më i lartë. Gjendja e sistemit shëndetësore dhe ekonomisë është në kolaps”,-tha Basha.
Nga ana tjetër, ai ka akuzuar qeverinë se ka braktisur Shkodrën, duke mostejkaluar ndasitë politike dhe duke mos iu bashkuar propozimit të bashkisë për të hequr detyrimet lokale të tyre. ”Vetëm në shoqatën e artizanëve të Shkodrës, 80 sipërmarrës të vegjël janë prekur dhe 4900 biznese janë mbyllur. Shkodra është ndër qytetet më të goditura. Shpresoja që të tejkaloheshin ndasitë politike për ekonominë e familjes së Shkodrës, por jam shumë i zhgënjyer që njerëzit që janë ulur aty mund të bashkoheshin rreth propozimit të bashkisë për të hequr detyrimet lokale. Situata ndodhet në këtë pikë për shkak të braktisjes së Shkodrës nga qeveria”,-tha më tej Basha.