Basha: E keqja që ka pllakosur Shqipërinë ka emër dhe quhet Edi Rama
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i ka kthyer përgjigje në intervistën e dhënë për Syri Tv për gazetarin Ermal Rizai edhe ironive të kryeministrit Rama, duke e cilësuar si të keqen e vendit që duhet larguar njëherë e mirë.
INTERVISTA E KRYETARIT TË PD, LULZIM BASHA NË SYRI TV
Gazetari: Zoti Basha, shumë faleminderit që pranuat këtë intervistë për Syri televizion!
Lulzim Basha: Kënaqësi!
Gazetari: Ju keni disa ditë që keni prezantuar planin ekonomik në kuadër të zgjedhjeve parlamentare, sa i zbatueshëm është ky plan dhe cilat janë kostot dhe benefitet për ekonominë shqiptare?
Lulzim Basha: Qëllimi i planit është shumë i qartë, 110 mijë vende të reja pune do të mundësohen vetëm kur Shqipëria të mundësojë një klimë biznesi, ku biznesi vendas dhe i huaj të investojë dhe të hap vende pune. Kjo sot është e pamundur. Hapi i parë, është largimi i Ramës. Hapi i dytë, është ulja e taksës. Taksa 9% do të thotë më shumë para për xhepat e shqiptarëve, do të thotë më shumë para për të investuar si për investitorët e huaj dhe investitorët e brendshëm. Por, po kështu ne do të mbështesim me kredi dhe grante speciale biznesin artizanal, do të mbështesim të rinjtë që kërkojnë sipërmarrjet e tyre, do të krijojnë pra një klimë biznesi e cila do të mundësojë mbi të gjitha që çdokush që ka talentin, ka dëshirën, ka vullnetin të ndërtojë një sipërmarrje apo të fuqizojë sipërmarrjen që ka duke punësuar më shumë shqiptarë, ta ketë qeverinë në krah dhe jo kundër siç është rasti sot.
Gazetari: Tek taksa e sheshtë 9% ka pasur replika mes jush por edhe zotit Rama edhe mes përfaqësuesve të tjerë të mazhorancës, sa i redukton të ardhurat e buxhetit të shtetit kalimi në këtë taksë?
Lulzim Basha: Është fare e qartë dhe Shqipëria shembull se si ku ka taksë të sheshtë të ardhurat e shtetit shtohen, përgjigja është fare e thjeshtë sepse me taksën e sheshtë formaliteti shtohet. Pra shqiptarët e kanë provuar tashmë se sa herë rriten taksat, ulen të ardhurat sepse shumë ndërmarrje krijojnë bilance të dyta. Me taksën e sheshtë 10% ne arritëm të mblidhnim 1.6 miliardë dollarë më shumë në dy vite dhe këto para i investuam për të rritur pensionet për të ndërtuar infrastrukturë, për të ndërtuar rrugë, për të përmirësuar jetën edhe cilësinë e shqiptarëve, për të rritur mirëqenien e tyre. Ndaj taksa 9% do të ketë një funksion, rritjen e mirëqenies së shqiptarëve përmes dy mënyrave kryesore që do të thotë në radhë të parë më shumë para në xhepat e tyre që sot Edi Rama j’ua merr dhe u’a jep oligarkëve, monopoleve, koncesioneve dhe së dyti më shumë para për bizneset që të investojnë dhe investimi i bizneseve përkthehet në punësim, përkthehet në vende pune. Pra gjithçka është e zbatueshme dhe tërësisht e arritshme, është pjesë dhe fryt i një plani të mirëmenduar dhe të punuar me kujdes dhe në bashkëpunim e me dialog me biznesin, sipërmarrjen, me biznesin e vogël e të mesëm, me investitorët e huaj prej më shumë se dy vitesh.
Gazetari: Një prej premtimeve tuaj ose siç ju e quani ju angazhimeve tuaja është edhe hapja e 110 mijë vendeve të reja pune. Si do të hapen vendet e punës kur në Shqipëri mungojnë investimet e huaja prej vitesh por edhe kriza që ka shkaktuar pandemia covid-19 është një plagë e madhe dhe në shoqërinë shqiptare?
Lulzim Basha: Padiskutim që kemi ardhur në këtë situatë për shkak të keq qeverisjes dhe dështimeve tetë vjeçare të Edi Ramës. Kur të gjithë vende rreth e qark ulnin taksat, krijonin mjedis të përshtatshëm për investitorë e huaj në Shqipërinë e Edi Ramës investitorët e huaj përziheshin dhe vendet e punës mbylleshin. Ndaj është fare e qartë pa larguar Edi Ramën nuk mund të vijë ndryshimi. Por largimi i Edi Ramës në vetvete do të thotë largimi i këtyre politikave të dështuara, do të thotë që Shqipëria do të jetë konkueruese me taksën e sheshtë 9% do të thotë që Shqipëria të mundësoj potencialin e jashtë zakonshëm që ka ekonomia jonë të kthehet në investime dhe vetëm investimet mund të sjellin vende pune. Pra është e qartë që kemi të bëjmë me dy përqasje krejt të ndryshme. Për 8 vite me radhë dështime, taksa të larta, përzënie të investitorëve të huaj, nuk ka një investim strategjik në 8 vitet e Edi Ramës. Investimet e fundit strategji që akoma punësojnë afro 70% të punësuarve në investimet e huaja u kontraktuan në 8-vjeçarin e fundit të Partisë Demokratike. Kjo është përqasja e Edi Ramës 8 vjet dështime. Përqasja e programit tonë është rikthimi i Shqipërisë në një vend atraktiv me taksa të ulëta, me ambient miqësor për biznesin dhe një synim të vetëm të përkthejë çdo masë të qeveris në vende pune për qytetarët. Ka funksionuar për Maqedoninë e Veriut, ka funksionuar për Kosovën, ka funksionuar pothuajse për të gjitha vendet e rajonit dhe jam i bindur që do të funksionoj për Shqipërinë e cila në vetveta ka potenciale shumë më të mëdha se çdo kush tjetër në rajon.
Gazetari: Keni theksuar se asetet e sekuestruara në bazë të ligjit anti-mafia do tu jepen të rinjve të cilët kanë dëshirë të investojnë në fushën e biznesit. A keni ju një listë se kujt duhet tu sekuestrohen këto asete?
Lulzim Basha: Padiskutim që po, ka lista, ka indicie dhe për fat të keq siç e tregojnë dhe përgjimet e fundit të Ndraghetës lista sa vjen dhe shtohet. Ajo që duhet të ketë parasysh çdo i ri dhe e re shqiptare që do të investoj është që nesër qeveria e dalë nga vota e 25 Prillit nuk do të jetë aleate e mafias, nuk do të jetë aleate e oligarkëve dhe e monopoleve por do të jetë aleate e rinis që kërkon të hap sipërmarrje të reja dhe në këtë kuadër pa pikë diskutimi asetet e konfiskuara të krimit të organizuar do të vihen në dispozicion edhe do të shërbejnë për të nxitur iniciativën e rinisë dhe për të nxitur sipërmarrje që sigurojnë punësim dinjitoz për ta dhe për të gjithë shqiptarët.
Gazetari: Pak ditë më parë zonja Kryemadhi, aleatja juaj ka deklaruar se në qoftë se ju nuk pranoni 5 prioritetet e LSI-së, nuk do të japi votën e LSI për qeverisjen e nesërme. Keni një koment për këtë deklaratë ?
Lulzim Basha: Qëllimi që na bashkon të gjithëve është fare i qartë. Largimi i Ramës, fitorja e shqiptarëve, fitorja e Shqipërisë. Dhe në këtë kuadër i vetmi diversion është ky që bëhet sikur ka moskuptim apo keqkuptime mes aleatëve. Ne jemi të bashkuar për këtë qëllim. Programet tona do të japin efektin e dëshiruar që është përmirësimi i klimës së biznesit, hapja e vendeve të punës, ulja e kostos së jetës dhe këtu të gjithë jemi të bashkuar.
Gazetari: Keni deklaruar se do të kandidoni në Tiranë aty ku keni fituar bashkinë por ku është edhe mandati juaj i parë. Keni caktuar 8 koordinatorë politikë për zgjedhjet parlamentare të 25 Prillit. Përballë këtyre koordinatorëve janë zoti Veliaj, zonja Spiropali, zoti Bushati por edhe përfaqësues të tjerë të mazhorancës socialiste të cilët ju disa i keni kallëzuar në SPAK, por keni pasur dhe akuza për ta. Sa mandate synoni në Tiranë?
Lulzim Basha: Unë jam plot besim se qytetarët e Tiranës dinë ta bëjnë dallimin midis atyre që për 8 vite kanë vënë interesat dhe pasurinë e vetes tyre të parën, që janë pasuruar në kurriz të qytetarëve të Tiranës, që kanë shkatërruar qytetin, e kanë bërë të pajetueshëm nga rrugët tek rrugicat, nga parqet e zhdukura të zëvendësuara me beton, nga ulja e cilësisë së jetës dhe rritja e ndotjes së ambientit dhe nga shndërrimi i tyre brenda një kohe shumë të shkurtër në njerëz që kanë shumëfishuar pasurinë ndërkohë që shumica dërrmuese e qytetarëve të Tiranës kanë mbetur vendnumëro apo janë varfëruar në këto vite. Pra qytetarët e Tiranës e kanë fare të qartë përballjen midis një grushti njerëzish që i kanë përdorur këto 8 vite në pushtet vetëm për veten e tyre, në kurriz të qytetarëve të Tiranës, në kurriz të familjeve të tyre, dhe ekipit tonë që mëshiron më së miri frymën Shqipëria Fiton, Tirana Fiton, qytetarët e Tiranës Fitojnë me programin tonë. Fitojnë ekonominë, fitojnë një çlirim dhe frymëmarrje që do të ndihet kudo, në jetën e tyre të përditshme, që nga momenti që dalin nga shtëpia deri tek gjërat më të thjeshta të jetës të cilave sot i janë shtuar brenga të mëdha për shkak të kapriçove dhe aferave të thella të korrupsionit që përfaqësojnë këta individë që sot me paturpësinë më të madhe shkojnë dhe u kërkojnë votën. Qytetarët e Tiranës do të dinë ti ndëshkojnë me votë, do të dinë që me votën e tyre në 25 Prill të bëjnë që ata dhe familjet ë tyre të fitojnë, Tirana të fitojë dhe Shqipëria të fitojë.
Gazetari: Një shifër keni sa dëshironi dhe sa synoni?
Lulzim Basha: Pa diskutim që qytetarët të Tiranës do ti japin vetes së tyre, qytetit të tyre, bashkisë së tyre dhe opozitës së bashkuar një fitore të thellë në Tiranë. Tirana do t’i prijë fitores së shqiptarëve.
Gazetari: Herë pas here ka pasur edhe deklarata nga ana e mazhorancës për përçarje të kampit opozitar. A ka një marrëveshje të firmosur me aleatët e tjerë të opozitës të bashkuar, duke parë se Partia Demokratike ka dorëzuar në KQZ materialet për tu regjistruar por edhe aleatët tuaj kanë ndërmarrë të njëjtin veprim. Keni një marrëveshje të firmosur përpara se të futeni edhe të shkoni në zgjedhjet e 25 Prillit?
Lulzim Basha: Pa pikë diskutimi. Dhe ju e dini që koalicioni ynë ka një marrëveshje të firmosur që në Prillin e vitit 2019. Por duhet të kuptoni që marrëveshja që na bashkon ne nuk është çështje numri deputetësh apo të tjera marrëveshje që kanë të bëjnë thjesht dhe vetëm me aspektet e vogla të lojës politike. Marrëveshja jonë është shumë më e madhe, është vendosmëria e koalicionit për të larguar Edi Ramën si parakusht që Shqipëria të ndryshojë, që Shqipëria të fitojë.
Gazetari: Kam dhe një pyetje tjetër e cila ka ngjallur reagime të shumta në rrjet por edhe në media. Pak javë më parë zoti Mark Marku, profesor Mark Marku është deputet u caktua drejtues qarku në Lezhë i cili më herët ka mbajtur dhe postin e anëtarit të komisionit të vlerësimit të kandidatëve për deputetë në radhët e selisë blu. Ndërsa zoti Tritan Shehu u caktua drejtues qarku në Gjirokastër por ishte shtyrë aprovimi nga ky komision. A janë shkelur rregullat parimet me emërimin e dy personazheve të njohur në selinë blu?
Lulzim Basha: Asnjë rregull i statutit nuk është shkelur. Komisioni ka mbaruar punë dhe zoti Mark Marku është një propozim i ardhur pothuajse nga të gjithë strukturat e qarkut të Lezhës e jo vetëm. Është njeri me kontribute të jashtëzakonshme, intelektuale akademike dhe tashmë një figurë e mirëpritur në mënyrë unanime jo vetëm nga demokratët e Lezhës por nga të gjithë qytetarët e qarkut të Lezhës. Ndërsa në rastin e zotit Tritan Shehu, po kështu drejtimi politik i qarkut i është besuar një pedagogu, një akademiku, një mjeku, i cila ka qenë dhe mbetet simbol i kontaktit me njerëzit dhe i shërbimit ndaj njerëzve, padiskutim që vendimet finale për listën e deputetëve i takojnë kryesisë dhe këshillit kombëtar të Partisë Demokratike.
Gazetari: Në lidhje me këtë çështje përfaqësues të tjerë të selisë blu të cilëve ju është shtyrë aprovimi i shohim shumë të angazhuar në fushatë, madje keni bërë një mbledhje me drejtuesit e qarqeve, 11 personave të tjerë të cilëve ju është shtyrë aprovimi do të jenë në listat e 25 prillit?
Lulzim Basha: Shiko, duhet të keni parasysh që demokratët në këtë betejë nuk janë futu për poste por janë futur për të bërë realitet dëshirën e shumicës dërmuese të shqiptarëve që është largimi i Edi Ramës dhe nisja e rrugës së ndryshimit të Shqipërisë dhe kjo është arsyeja pse i kemi dedikuar kaq shumë kohë dhe energji programit tonë sepse ne nuk vijmë në këtë fushatë me premtime. Kjo është fushata e parë kur një parti politike nuk vjen me premtime por vjen me një program të mirëmenduar angazhimesh plotësisht të realizueshme dhe secili prej demokratëve pavarësisht nga pozicioni që ka në strukturat e Partisë Demokratike është në këto kushte një shërbëtor i njerëzve, një ushtarë i betejës ku Shqipëria fiton dhe të gjithë shqiptarët fitojnë.
Gazetari: Zoti Rama ju ironizon duke përdorur hashtagun; punë jo gjumë. Sa kohë i kushtoni ju zoti Basha punës dhe sa kohë i kushtoni familjes?
Lulzim Basha: Dua ta them fare qartë, pas 8 vitesh dështimesh, Edi Rama nuk ka më absolutisht asgjë me çfarë të dalë para shqiptarëve, jua kam thënë këtu në konferencë për shtyp me kolegët tuaj, jua kam përsëritur edhe në intervista të tjera, nuk ka asnjë rrugë tjetër Edi Rama, deri më 25 prill do të vazhdoni të dëgjoni të tilla sulme, sharje, fyerje në adresën time, në adresën e partisë demokratike, të opozitës, për një arsye të vetme, ky është një njeri pa bilanc, 8 vjet premtime, 8 vjet dështime, asnjë premtim i mbajtur, me çfarë do të dal para shqiptarëve. Ka dhe një aspekt tjetër këtu që për Edi Ramën, punë do të thotë vjedhje, kush nuk vjedh fle gjumë, por me 25 prill është dita ti japim fund kësaj dhe të gjithë së bashku të ndërtojmë një tjetër politikë e cila me të vërtetë t’ju jap shqiptarëve një qeverisje që punon për ta, një qeverisje që votohet nga ata në bazë të angazhimeve që merr dhe gjykohet nga ata në bazë të angazhimeve që merr. Rama është e kaluara, është e shkuara, sa më pak kohë të harxhojmë e të aq më mirë është që të kursejmë gjithë energjinë tonë, gjithë kohën tonë, gjithë vëmendjen tonë tek puna dhe tek e ardhmja që na pret për të korrigjuar 8 vjet dështime dhe për ti kthyer shqiptarëve shpresën dhe besimin tek një Shqipëri që punon, tek një Shqipëri që prodhojnë, tek një Shqipëri për të gjithë dhe jo për një grusht njerëzish.
Gazetari: Duke ju referuar situatës së pandemisë, në qoftë se vendi shkon në një mbyllje ashtu sikur në muajin mars, sa ndikon ky vendim në fushatën elektorale?
Lulzim Basha: Ne jemi të angazhuar me të gjitha format dhe mënyrat për ta përcjellë kudo mesazhin tonë, mesazhin e shpresës, mesazhin e besimit tek Shqipëria, e besimit tek shqiptarët, e faktit që kur ne të gjithë bëhemi bashkë për ti shërbyer shqiptarëve, për t’i shërbyer njëri-tjetrit, nuk ka forcë të na ndalë. E keqja që ka pllakosur këto 8 vite, ka një emër dhe vetëm një emër dhe ky është Edi Rama, i cili e vuri gjithë vendin në funksion të interesave të tij politike. Ai dhe një grusht njerëzish siç tregojnë edhe investigimet e fundit të shumë agjencive investigative gazetareske por dhe raport ndërkombëtare, janë të vetmit që kanë përfituar këto 8 vite. Kështu që jam i bindur se nuk ka asnjë pengesë, që shqiptarët do të bashkohen dhe në 25 Prill ta rimarrin fatin e tyre në dorë. Shqipëria ti kthehet shqiptarëve, Shqipëria të fitojë, shqiptarët të fitojnë.
Gazetari: Zoti Basha, shumë faleminderit!
Lulzim Basha: Kënaqësi!