Basha: Edhe kjo me aeroportin, dështim i radhës së njeriut që ka vënë interesat e tij mbi të çdo shqiptari!
Kryetari I PD-së, Lulzim Basha, është pritur në mënyrë spektakolare sot nga qindra qytetarë në Lushnjë, një pritje që është shndërruar më pas në miting spontan për shkak të pranisë së madhe të qytetarëve që iu bashkuan liderit të opozitës.
Duke shkuar drejt qendrës së qytetit, Basha i ka përshëndetur tregtarët para të cilëve kalonte dhe kur mori fjalën, dha këtë mesazh:
“Për këtë pritje spektakolare, jam i nderuar. Unë e di se mbi të gjitha kjo është shprehja e vullnetit tuaj, të qindra mijëra familjeve lushnjare që 25 prilli të jetë dita e ndryshimit.
Kudo në Shqipëri e ndiej këtë padurim, sot e dëgjova nga zërat e nënave lushnjare që takova në bulevard gjatë ecjes.
Fjalët janë të thjeshta, burojnë nga zemra, shprehin qartë se sa vendimtare janë zgjedhjet e 25 prillit. Zgjedhja e 25 prillit është fare e thjeshtë. Tetë vite me radhë lushnjarët u varfëruan, çmimet janë rritur, vendet e punës janë mbyllur, rinia ka emigruar dhe përgjegjësi për këtë dështim vjen dhe kërkon dhe katër vite të tjera!!!
Dështim pas dështimi, dështim në ekonomi, dështim në shëndetësi, dështim në arsim e gjithçka. Edhe kjo që po ndodh me aeroportin nuk është tjetër veçse dështim i radhës së një njeriu që ka vënë interesat e tij mbi interesat e çdo shqiptari.”