Basha: Eksodi drejt perëndimit? T’i themi më 21 qershor, ndal së keqes!
Kreu i opozitës, Lulzim Basha eksodin e shqiptarëve dhe kërkesat e shumta për azil në vende të ndryshme të BE-së, e ka vendosur në qendër të diskutimeve me banorë të Cakranit, ku në takim merrte pjesë edhe kandidati i së djathtës për bashkinë e Fierit, Enkelejd Alibeaj.
Rreth 1000 familje nga Cakrani kanë emigruar për shkak të kushteve të vështira të jetës dhe papunësisë së lartë. Qindra të rinj nga mosha 15 vjeç e lart janë larguar drejt Gjermanisë, duke mos parë asnjë shpresë. Kështu i kanë thënë kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha banorët e Cakranit. Papunësia, çmimi i lartë i energjisë, naftës, plehrave kimike, janë disa nga shkaqet sipas tyre, që ka bërë që kjo zonë të zhytet në varfëri.
Kryetari i PD ka theksuar në bashkëbisedimin me banorët se eksodi nuk është zgjidhje, pavarësisht situatës së rëndë ekonomike ku e kanë zhytur vendin Rama –Meta. Zgjidhja, – tha Basha, është largimi i së keqes dhe kjo do të bëhet e mundur duke nisur nga 21 qershori. – “Njerëzit po ikin nga e gjithë Shqipëria, po ikin nga e keqja. Asnjë nuk po ikën për qejf. Po ikin se s’kanë punë, s’kanë lekë, po ikin se s’kanë bukë, po ikin se nuk kanë shpresë. Varfërinë e kanë pesëfishuar. A e dini ju që numri i shqiptarëve që jetojnë me një dollar, me 1 mijë lekë të vjetra në ditë është pesëfishuar në një vit?! Fatkeqësi për qytetarët, luks për qeveritarët. Prandaj, më 21 qershor, ju keni në dorë jo vetëm t’i thoni ndal së keqes por edhe të rikthejmë shpresën”, – u shpreh Basha.