Basha: Emergjencë zgjedhjet e lira
Pas mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Demokratike, ku mori formë përfundimtare drafti që do i dorëzohet Komisionit Parlamentar të reformës në drejtësi, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, tha se nuk ka negociata për cilësinë e refomës dhe sipas tij opozita nuk do të pranojë kapjen politike të sistemit. Lulzim Basha, ripërsëriti dhe një herë qëndrimin e opozitës se tashmë është refoma zgjedhore që kërkon prioritet dhe që kushtëzon çdo refomë tjetër përfshirë dhe drejtësinë.
Partia Demokratike nuk është e shqetësuar për kohën kur reforma në drejtësi mund të miratohet, por për cilësinë e saj. Pas rreth dy orë diskutime, grupi parlamentar demokrat mbështeti draftin e ekspertëve të saj që lidhet me arkitekturën e sistemit të drejtësisë dhe që pritet të dorëzohet zyrtarisht në Komisionin Parlamentar për reformën në drejtësi.
Lulzim Basha ishte i prerë në qëndrimin e tij, kur tha se nuk ka asnjë negociatë që cënon cilësinë e reformës.
Basha: Partia Demokratike nuk është gati të bëjë kompromis për cilësinë, sigurisht është gati të negociojë për zgjidhje dhe alternativa të ndryshme që do të mishërojnë një drejtësi të pakapur.
Demokratët në draft japin zgjidhjet për dy çështje, të cilat në gjykimin e tyre dhe ndërkombëtarët i kanë cilësuar politike.
Thjeshtimin e arkitekturës së sistemit dhe formulën e zgjedhjes së anëtarëve dhe drejtuesve të institucioneve të reja kushtetuese.
Basha: Dua ta bëj të qartë për ata që nuk e kanë kuptuar, se ka dhe nga ata që e kanë kuptuar por bëjnë sikur nuk e kanë kuptuar. Tek vendimarrja ne qëndrojmë fort mbi propozimin që ka bërë faktori ndërkombëtar për vende të rezervuara, i kemi thënë po dhe për ne këtu çështja është e zgjidhur. Sigurisht dhe pala tjetër duhet të shprehë vullnetin për të cilinm kemi marrë garanci nga faktori ndërkombërar.Për arkitekturën Venecia e thotë qartë, drafti e përsërit në pjesën të kuqe mbi të bardhë se arkitektura që pamundëson kapjen politike është përgjegjësi e legjislatorit.
Nuk ka dhe nuk mund të ketë një formulë dhe ne veçanti nuk mund të ketë pranueshmëri të një formule që garanton moskapjen politike. PD nuk ka pranuar dhe nuk do pranojë kurrë institucione të drejtësisë që lënë shtegun e hapur për një drejtësi alla shullaz dhe alla kokëdhima, thënë me fjalë të tjera ku Kryeministri aktual apo cilido Kryeministër në të nesërmen të fusë duart dhe të bëjë çorbën sipas qejfit të tij, këtë PD nuk e pranon. E kemi thënë që ditën e parë, po reformës në drejtësi jo kapjes politike. Dhe sot qëndrojmë në të njëjtin parim. Po reformës në drejtësi.
Lulzim Basha, arikuloi qartë vendimin e opozitës se për Partinë Demokratike kodi zgjedhor prevalon për nga rëndësia dhe mbi reformën në drejtësi. Reforma zgjedhore do të kushtëzojë çdo reformë tjetër në vend.
Basha: Nëse ka një gjë urgjente sot në Shqipëri është garantimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Ta harrojnë kushdo që profecon ndryshe se BE do ti hapë dyert për negociata një Shqipërie që nuk garanton dot zgjedhje të lira dhe të ndershme. Gjithçka tjetër është fjasko, falco, është kot dhe kot do të përfundojë. Kjo është republikë parlamementare, nuk është republikë as prokuroriale dhe as gjyqësore.
Deklaratave të Ambasadorëve se nuk ka kohë për ndryshime të mëdha dhe se tashmë është moment për miratimin e refomës në drejtësi, kryetari i opozitës i dha këtë përgjigje.
Basha: Kurrsesi nuk mund të përdoret kjo për ti bërë presion opozitës me hipokrizira të tilla si nuk ka kohë dhe ka kohë. Parimi është më i rëndësishëm dhe parimi është drejtësi e pakapur.
KOHA JONË SONDAZH

