Basha i bën bisht takimit me degën e PD së Pogradecit
Disa herë krerët në ikje të 35 degëve, kanë tentuar të takohen me kreun Basha por ende nuk është realizuar një takim edhe kur mundësitë janë. Kjo vlen për takimin e fundit të Bashës, në Pogradec, ku përveç banorëve dhe mesazhe kundër qeverisë, në asnjë foto e deklaratë nuk u pa që ky i fundit të ishte takuar me anëtarë të degës së Pogradec.
Një degë e cila ka rezultuar e suksesshme në zgjedhjet e fundit lokale por si të gjitha degët e tjera edhe kjo do të shkojë në zgjedhje.
Në një prononcim për “Koha Jonë”, ish-kreu, Renato Preza, zbulon të vërtetën. Ai është shprehur se ardhjen e kreut Basha në Pogradec e ka mësuar nëpërmjet postimeve në rrjete sociale. “Ardhjen e z.Basha e mora si njoftim në facebook dhe po aty mora edhe informacionin se çfarë ka ndodhur”, shprehet Preza.
Ai më tej nënvizon se Basha nuk e nisi takimin në Pogradec me anëtarët e degës, dhe për këtë gjë ai nuk ka një përgjigje pse nuk u zhvillua ky takim.”Në dijeninë time nuk jam i sigurt se kush e ka refuzuar takimin mes Bashës dhe kryesisë së PD-së në Pogradec, por di që Kryetari Basha as nuk e filloi takimin nga selia e PD-së por as nuk e mbylli në seli”, ka shtuar ai.
Më tej Preza ka treguar se ka pasur një plan që kreu i demokratëve të takohet me strukturat e degës së Pogradecit. Për këtë mosrespektim të degës, ish-kreu e ka quajtur jo demokratike edhe pse Basha ka shkëmbyer sipas tij disa biseda me anëtarë të kryesisë. “Di që ka patur një plan për takimin me strukturat e partisë dhe që nuk është realizuar! Di që edhe gjatë lëvizjes në terren, Basha ka qenë në kontakt me anëtarë të kryesisë, ka shkëmbyer biseda, por vetëm kaq”, ka rrëfyer Preza.
Opozita nuk është e qetë në asnjë moment, përveç peshës që ka në jetën aktive parlamentare, asaj i duhet të përballet dhe me zgjedhjet e reja në 35 degët dhe në pakënaqësitë që ka sjellë ky vendim. Pakënaqësitë jo vetëm që janë bërë publike, siç ka qenë dega e Pogradecit, ku dhe Renato Preza dha dorëheqje. Dorëheqje ka pasur dhe me degën nr.3 në Tiranë. Më të fortët që po i rezistojnë zgjedhjeve dhe lëvizjeve të mundshme, janë ai i degës së Durrësit, Osman Safa dhe ai i Mirditës, Pjerin Spathara.
R.Shtylla
KOHA JONË SONDAZH

