Basha i përgjigjet pyetjes nëse do të bashkëqeveriste me Ramën: 25 prili, fundi i pandëshkueshmërisë

Kryedemokrati Lulzim Basha është pyetur në konferencën e sotme nëse do të pranonte bashkëqeverisje me kryeministrin Edi Rama pas 25 prillit. Ai tha se pas 25 prillit Ramën e pret gjykimi qytetar dhe vendosmëria e tij për të bërë të mundur që drejtësia ta ndëshkojë për çdo krim dhe aferë korruptive.

Basha theksoi se 25 prilli nuk do të jetë thjesht dhe vetëm fillimi i një ndryshimi, por do të jetë fundi i pandëshkueshmërisë.

“Rama e di çfarë e pret pas 25 prillit. Pas 25 prillit, Edi Ramën nuk e pret asgjë tjetër përveç gjykimit qytetar dhe vendosmërisë sime për të bërë të mundur që drejtësia të bëjë të sajën dhe ta ndëshkojë për çdo krim dhe aferë korruptive që ua ka nxirë jetën këto 7 vite. Vetëm ky është shpëtimi i Shqipërisë jo vetëm nga përgjegjësi për këtë situatë, por nga kushdo tjetër që mund të mendojë pas tij se mund të bëjë çfarë ka bërë ai me shqiptarët dhe t’ia hedhë pa lagur. Jo! 25 prilli nuk do të jetë thjesht dhe vetëm fillimi i një ndryshimi, por do të jetë fundi i pandëshkueshmërisë. Pushtetet janë ndërruar edhe më parë, por pandëshkueshmëria ka vazhduar. Pa diskutim, për këtë jemi përgjegjës dhe ne. E përsërisim zotimin tim publik: kush ka vënë dorë në interesin publik të shqiptarëve, mbi pasuritë e shqiptarëve, mbi taksat e shqiptarëve dhe ka cenuar rëndë jetën, shëndetin, shpresën e tyre do të marrë ndëshkimin e merituar me ligj”, deklaroi Basha.

Ai tha më tej se kjo është një qeveri e mbaruar në çdo drejtim. “Të vërtetat nuk fshihen dot. Të vërtetat janë aty, siç kam shkuar unë mund të shkoni ju. Të kuptoni se flluska e Edi Ramës nuk ka asgjë të përbashkët me realitetin. Ky është mjerimi i një qeverie të kapitulluar. Po bën vjedhjen dhe batërdisjen e buxhetit para ikjes së saj. Nevoja ulëritëse për ndryshim kurrë nuk ka qenë më e qartë. Sfida jonë është t’iu tregojmë shqiptarëve se Shqipëria i ka mundësitë për të dalë nga kjo krizë.
Çdo formë reagimi është legjitime ndaj një qeverie që ka braktisur detyrën e saj”, deklaroi Basha.

SHKARKO APP