Lulzim Basha krejt i vetëm në PD
Nga: Redjon Shtylla
Një parti politike ka pranë vetes, idealin dhe një plan qeverisje. Këto dy elementë përcaktues, fatkeqësisht partia që në krijimin e saj nxiti shpresën dhe revoltën, sot i po kthen në njē zyrë kryetari. Partia Demokratike është ajo që rrëzoi muret e diktaturës dhe e drejtoi vendin drejt një liri dhe demokracie të munguar.
Por sot, PD është kthyer në një seli. Në krye është Lulzim Basha që ka humbur çdo palë zgjedhje dhe beteje, por kërkon të fitojë një betejë kundër liderit historik, që ende sot nxit revoltën e shqiptarëve për ndryshim. Porta e PD për fatin e saj të keq është e hapur nga brenda, ku aty po dalin demokratët e vërtetë dhe me vite kontribute. Demokratë që janë ekspertë në fushat e tyre dhe e njohin mirë politikën dhe që peshojnë më shumë sesa të rinjtë që Basha i ka futur në Kuvend.
Edi Paloka, Edmond Spaho, Oerd Bylykbashi, Flamur Noka, Tritan Shehu, Aldo Bumçi, e shumë shumë figura të tjera, nuk po gjejnë demokraci në parti. Ata janë pro “Foltores” së Berishës dhe po e lënë Bashën të vetëm në PD. Nëse është diçka për të cilën Lulzim Basha duhet të shqetësohet, është kjo situatë e ikjes së elitës së PD-së. Një pjesë i hoqi vetë Basha ndër vite si Jozefina Topalli, Astrit Patozi, Majlinda Bregu, Genc Ruli, Ridvan Bode, Arben Imami dhe Eduard Selami, e shumë e shumë figura me peshë të rëndë në PD.
Që kur mori drejtimin e PD-së në korrik të vitit 2013, një listë me eksponentë të kësaj partie janë përjashtuar dhe mënjanuar nga forumet e larta drejtuese, e për rrjedhojë edhe nga angazhimi në fushatat zgjedhore. Vendin e tyre e zuri gradualisht një rreth i ri njerëzisht, të besuar të kryetarit, por që megjithatë nuk ia dolën të ndalonin spiralen e humbjeve.
Sot Basha është i vetëm në PD, dhe pranë vetes ka 4 apo 5 deputetë besnikë, por me këtë ekip, Basha nuk siguron as fitoren për postin e tij në PD, e jo më të dalë përballë Ramës. Zgjedhjet lokale po afrojnë dhe në këtë gjendje, me ikjen e elitës së PD-së, si pasojë e vendimeve të Bashës, PD-ja rrezikon që të mos fitojë në asnjë bashki.
Ndryshimi që PD kërkon të sjellë përmes ardhjen në pushtet, sot më shumë se kurrë i duhet vetë asaj. Të rikthejë figurat e lartëpërmendura, të forcojë bazën e ta mobilizojë siç po bën doktori. Nëse jo, atëherë shqiptarët do kërkojnë një forcë të re opozitare, ose do të pranojnë mbretërimin e Edi Ramës.