Basha: Klima e biznesit e keqe, PD alternativa e zgjidhjes
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, e ka konsideruar takimin e kryeministrit Edi Rama, me biznesin si një shfaqje propogandistike për të fshehur gjendjen e rëndë ekonomike në të cilën ndodhet vendi.
Nëpërmjet një deklarate për mediat sot pasdite, kryetari i PD-së Basha, theksoi se “Ndonese i konceptuar si shfaqja propagandistike e rradhës, takimi i sotem i Edi Ramës me biznesin u kthye në një bumerang akt-akuzash publike, live dhe sy për sy, çka dëshmon se sa e rëndë është situata ekonomike, sa e thellë kriza e biznesit. Shqipëria është fshirë nga harta e investitorëve të huaj për shkak të pasigurise, për shkak të klimës së keqe të biznesit me taksa që rriten, e gjoba pas gjobash që po i marrin shpirtin sipërmarrjes se madhe, të mesme e të vogël”.
Basha bën përgjegjës kryeministrin Rama, duke u shprehur se asnjë investitor nuk është i lumtur, të gjithë po mendojnë largimin.
“I penduar që ky takim ishte live, Rama iu hakërrye me radhë biznesit, FMN, Dhomës Amerikane të Tregtisë”, tha Basha.
“Taksa e sheshtë 9%, TVSH 15%, taksa të ulëta për biznesin dhe qytetarët, do të thotë më shumë konsum, më shumë investime, do të thotë vende pune, paga më të larta, më shumë investime publike që punësojnë dhe zhvillojnë vendin. Ekonomia kërkon program, vizion dhe vendosmëri, kërkon një qeveri që mbi të gjitha të jetë në krah dhe jo në përplasje me biznesin dhe investitoret. Ne do t’ja japim vendit një qeveri të tillë”, u shpreh Basha.
KOHA JONË SONDAZH

