Kandidati për kryeministër pas zgjedhjeve, Basha: Koalicionet parazgjedhore janë sanksionuar në Kushtetutë dhe nuk ka njeri që i ndryshon!
I ftuar në “Zonë e Lirë”, kryetari i PD, Lulzim Basha komentoi aktualitetin politik në vend. I pyetur nëse, kryeministri Edi Rama do të përdorë pandeminë e Covid-19 për të shtyrë zgjedhjet, kreu i PD u shpreh se një gjë e tillë nuk ka asnjë shans. “Nuk ka asnjë shans. Zgjedhjet u mbajtën në Francë, u mbajtën në Serbi. Nuk ka asnjë shans”, tha Basha.
Sa i përket koalicioneve dhe përpjekjeve të mazhorancës për ti ndaluar, kreu i opozitës u shpreh se: “Koalicionet parazgjedhore janë në Kushtetutë sepse Karta e të drejtave të njeriut e quan si të drejtë bashkëpunimin dhe bashkimin. Njerëzit bashkohen në parti, në aleanca, bashkohen për shkak të interesave. Prandaj është shkruar edhe në Kushtetutë. Diskutimi për sistemin është mbyllur më 5 qershor. Shqipëria ka nevojë për një reformë të thellë zgjedhore. Do ti diskutojmë pas zgjedhjeve të ardhshme. Fillimisht duhet të forcojmë sistemin e “chek and balance” dhe parlament me dy dhoma. Problemi këtu nuk është sistemi. Çdo sistem ka rënë pre e sëmundjeve të demokracisë shqiptare që me këtë qeverinë ka rënë në koma”,– tha Basha.